
Kadrijaj: Kurtit t’i merret e drejta e kandidimit nëse s’e konstituon Kuvendin

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, gjatë fjalës së saj në Kuvend pas përfundimit të seancës, tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uzurpuar Kuvendin e Kosovës dhe institucionet e vendit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Saktë Gjykata Kushtetuese e ka thënë; e ke të drejtën e nominimit të kandidatit për kryeparlamentar, por s’e ke të drejtën e bllokimit të institucioneve. Nuk e ke të drejtën e bllokimit të Kuvendit të Kosovës. Pa dashtë të interpretojmë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese kësaj sage duhet t’i jepet fund kur me një vendim tjetër kur pas një muaji këtij deputeti i i merret e drejta e kandidimit nëse deri më 26 korrik nuk e konstituon Kuvendin”.
Kadrijaj e quajti Kurtin diktator dhe tha se ai “ka kohë” meqë nga Kuvendi shkon në Qeveri dhe merr vendime dhe pastaj e kritikon edhe gjyqësorin.
Derisa po zhvillohej seanca, Kadrijaj ka ironizuar me Kurtin për kthimin e tij nga Greqia ku kishte shkuar për të marrë pjesë në një simpozium dhe mungoi në seancën e kaluar.
“Në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, po ashtu në emër të popullit të Kosovës, i dëshirojmë kthim të suksesshëm në vendlindje deputetit Albin Kurti. Shpresoj që ke kaluar mirë…”, tha ajo para se t’i ndalej mikrofoni.
(Kosova Sot Online)