
Policia ka parandaluar një tentim kontrabande me migrantë

Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë e Policisë së Kosovës ka parandaluar një tentim kontrabande me migrantë të paligjshëm në pikën e kontrollit afër pikëkalimit kufitar Kosovë–Serbi (Jarinjë), më 24 gusht 2025, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Gjatë kontrollit të një autobusi të linjës Mitrovicë–Beograd, në katin e parë u gjetën 8 udhëtarë të rregullt të regjistruar në listën zyrtare, ndërsa në katin e dytë u zbuluan 18 shtetas të huaj të paregjistruar dhe pa të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Kosovës.
Hetimet kanë treguar se pronari i kompanisë, G. A., dhe shoferi B. D., ishin të përfshirë drejtpërdrejt në organizimin e transportit të migrantëve në mënyrë të paligjshme.
Sipas verifikimeve, 5 prej migrantëve ishin shtetas palestinez që kishin hyrë në Kosovë me pasaporta jordaneze, 6 shtetas nga Bangladeshi posedonin viza pune por ishin subjekt i vendimeve për largim, ndërsa 7 shtetas egjiptian kishin hyrë përmes Shqipërisë duke synuar kalimin në Serbi dhe më tej drejt BE-së.
“Hetimet e para dhe intervistat me personat përgjegjës tregojnë një përpjekje të qëllimshme për kontrabandim të migrantëve. Pronari i kompanisë, G. A., dhe shoferi B. D., kanë tentuar të shmangin përgjegjësinë, por provat dhe verifikimet tregojnë përfshirje direkte në organizimin e transportit të migrantëve në mënyrë të paligjshme”, thuhet mes tjerash në komunikatën e policisë.
(Kosova Sot Online)