Krasniqi: Në një situatë normale s’do ta votonim Dimal Bashën, votuam për zhbllokim

  • A.P /
  • 26 August 2025 - 12:11
Krasniqi: Në një situatë normale s’do ta votonim Dimal Bashën, votuam për zhbllokim

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se nuk është i lumtur që Dimal Basha sot është kryetar i Kuvendit, por ai tha se si PDK kanë mbajtur fjalën e dhënë. Por, ai tha se tha se Basha është zgjedhja e Vetëvendosjes për t’i përfaqësuar qytetarët në Kuvend, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai tha se kërkesa e tyre për konsultë u refuzua në fillim të seancës.

“Nga fillimi kemi ofruar gatishmërinë tonë për ta votuar një kandidat që s’ka qenë pjesë e ekzekutivit të Albin Kurtit. Në momentin e parë kur u propozua Dimal Basha, ne kërkuam një konsultë 10 minutëshe me grupet tjera, para të gjithash me grupin e Vetëvendosjes ashtu siç kërkuam edhe sot që na u mohua përsëri për një arsye dhe një qëllim të vetëm: që t’iu themi propozone dikë që së paku nuk ndihen keq qytetarët e Kosovës me pa në krye të Kuvendit”.

“Megjithatë, Kurti dhe VV konsiderojnë që qytetarët e Kosovës më së miri i përfaqëson Dimal Basha. Në një situatë normale, në një botë paralele asnjëherë nuk do ta votonim dikë si Dimali në krye të Kuvendit. Ne kemi votuar për ta zhbllokuar situatën, për ta çarë bllokadën e Albin Kurtit dhe për t’i qëndruar besnik fjalës së dhënë publike, sepse për PDK-në edhe për mua personalisht, kjo është më e rëndësishmja. Disa vlera morale që fatkeqësisht janë zbehur, para se gjithash nga Albin Kurti, që s’e ka mbajtur asnjë prej qëndrimeve që e ka pasë përgjatë viteve, ne të tjerët duhet t’i kthejmë. Fjalën që e kemi dhënë e mbajtëm sot. A jemi të lumtur që është Dimal Basha kryetar? S’besoj që janë të lumtur as deputetët e Vetëvendosjes. Ju i patë me fytyra të varura sepse ndoshta s’kanë besuar as që bëhet. Megjithatë, sot kemi kryetar të Kuvendit. Shpresoj shumë që të kemi edhe nënkryetarë”, tha Krasniqi.

(Kosova Sot Online)