Albin Kurti ia çon Bulliqit 4 milionë euro në kohë fushate

  • A.P /
  • 20 September 2025 - 11:40
Albin Kurti ia çon Bulliqit 4 milionë euro në kohë fushate

Në prag të zgjedhjeve lokale, qeveria e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ia ka lëshuar katër milionë euro komunës së Podujevës, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, për të rregulluar shtratin e lumit Llap, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, i cili po garon edhe për një mandat nga Lëvizja Vetëvendosje, ka nënshkruar një memorandum me ushtruesin e detyrës së ministrit në detyrë, Hysen Durmishi, i cili shkoi atje për këtë ngjarje.

“4 milionë euro është vlera e memorandumit që bashkë me ministrin e Infrastrukturës, z. Hysen Durmishi, po e bëjmë realitet ndërtimin dhe meremetimin e shtratit të lumit Llap dhe lumenjve tjerë në Podujevë. Ky investim i madh nënkupton siguri shtesë për jetën e qytetarëve tanë, të shtëpive dhe të pronave, si hap i fuqishëm për mbrojtje nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera. Bashkë me Qeverinë e Kosovsë për punë të mira në Podujevë!”, ka shkruar Bulliqi.

Gjatë gjithë mandatit të Qeverisë Kurti komunat janë ankuar për mungesë fondesh nga qeveria për zbatimin e projekteve të tyre.

(Kosova Sot Online)