
Berisha: Ne kemi kandidatura të pakrahasueshme me Korbën e Korrupsionit

Kreu i PD, Sali Berisha, deklaroi se përfaqësuesit e Partisë Demokratike nuk kanë zhvilluar asnjë bisedë për emra konkretë kandidatësh, por vetëm për modelin që mund të bashkojë më gjerë spektrin opozitar në garën për Tiranën, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Berisha theksoi se PD ka kandidatura të denja dhe të pakrahasueshme me “Korben e Korrupsionit”, siç e cilësoi ai kundërshtaren socialiste Ogerta Manastirliu, ndërsa shtoi se qëllimi kryesor i opozitës është ndërtimi i një modeli që garanton unitet dhe mbështetje të gjerë elektorale.
Deklarata e plotë për media:
Në këtë kuadër, mendoj unë se duhet të shqyrtojmë pjesëmarrjen tona në zgjedhjet në Tiranë dhe në degët e tjera.
Tani, për Tiranën unë ngrita një delegacion për të eksploruar me jo kandidaturat, por për të eksploruar me aleatët tanë modelin ku ne mund të binim, a mund të gjenim një model në të cilin të ishim të gjithë të bashkuar si opozitë. Edhe këta me të cilët jemi në koalicion, miqtë tanë, por edhe ata me të cilët nuk kemi qenë në koalicion, por janë faktuar me një numër të pamohueshëm votash në Tiranë dhe në Shqipëri.
Disa e kanë shprehur haptas, disa jo, që do preferonin një kandidat të pavarur dhe të mbështetur nga opozita, në mënyrë që shanset në qoftë e mbështet e gjithë opozita, shanset të jenë më të mëdha.
Propaganda e PS-së për të mbuluar shkallën e lartë të inkriminimit të Ogerta Manastirliut, e cila ju e patë vetë, asaj sa vetëm nuk i ra të fikët kur Edi Rama e njoftoi se do jetë kandidate. E patë vetë. Nuk kisha parë se si mund të transformohej nga një garë ku duhej të ishin sa më fotozhenike me Lubinë dhe Elisën, kësaj i iku fytyra.
Sa nuk ka ra nga karrigia se ajo i di mëkatet që ka. Nuk ka, krimi nuk të lëshon. Ajo e di se janë 20 mijë shpirtra, shumë prej të cilëve mund të ishin gjallë sot. I mori Covidi për vjedhjet që bëri.
Ajo e di si nënë, si grua, si motër, jo që nuk bëri asgjë për shëndetin e grave, por përkundrazi ka kryer krime kundër njerëzimit duke i privuar nga ilaçet jetike për kurimin e sëmundjeve si në asnjë vend tjetër të planetit. Nuk di ndonjë vend që nuk siguron të sëmurëve ilaçet e kimioterapisë.
Nuk di ndonjë vend që nuk u siguron brakioterapinë dhe aparatura të tjera të mjekimit.
Nuk di ndonjë vend që u jep të sëmurëve ilaçe të skaduara.
Dhe të gjitha janë konkluzione të KLSH, të dorëzuara në Skapin e partisë, që i mbulon Altin Troplini, që është më kriminel se kjo.
Se të mbulosh këto krime kundër njerëzimit, duhet të jesh më kriminel se ato që i kryen ato. Dhe Altin Troplini thërret Bardh Spahinë se ka shkarkuar një njeri të shkarkuar për vjedhje apo korrupsion, kurse këtë që u bëri gjëmën qindra vajzave dhe grave shqiptare, që i la në kthetrat e vdekjes, dosjen e kësaj e mbyll në sirtar.
Dhe për të mbuluar të gjitha këto, propaganda, mediat e kontrolluara, çdo orë, çdo ditë përsërisin se PD nuk ka kandidat.
A kishte shpifje më të madhe se kjo?
Si mund të thuash, si mund të pretendosh se PD nuk ka kandidatë, karshi një personi, e cila në të gjitha konventat dhe kodet e botës ka kryer krime kundër njerëzimit ndaj të sëmurëve kur ishte ministre e Shëndetësisë? Dhe u bë bashkëautore në rrokullisjen e tmerrshme në arsim.
Por jo drejtuesit, por u garantoj që çdo qytetar me integritet i Tiranës, është 5 herë, 10 herë i pakrahasueshëm më i denjë se Korba e Korrupsionit për atë kandidaturë.
Dhe ne kemi pa diskutim kandidatura shumë të mira. Kanë shfaqur dëshirën e tyre publikisht, Adriana Kalaja, Klevisi, Edi Paloka, që janë të pakrahasueshëm me kandidaturat e PS.
Kështu që përpjekja jonë për të arritur në një ujdi të gjerë me forcat e tjera opozitare nuk ka asnjë lidhje me problemin e kandidatëve tanë të shkëlqyer.
Por ka lidhje me rekordin elektoral. Tërësinë e votave si opozitë dhe kjo nuk mund të injorohet.
Ka lidhje edhe me një moment të dytë. Qindra e mijëra militantë do donin të kishin kandidat dikë prej jush, por disa të tjera do donin të kishin një kandidat jashtë nesh, jo me qëllimin negativ, por me qëllimin më të mirë që të jemi sa më afër fitores.
Janë edhe këto.
Njerëz që mendojnë se dalja jashtë modelit strikt partiak, aplikimi i modelit tjetër nga PD, është një përfillje më e madhe për elektoratin dhe ka shanse më të mëdha.
Edhe njëherë e them, nuk janë bërë diskutime për kandidatura nga përfaqësuesit tanë, janë bërë diskutime për modelin që do të bashkonte më shumë spektrin opozitar në kandidaturën e Tiranës.
Ne nuk i ndalojmë dot të shprehin mendime, por asnjë takim nuk është bërë për kandidatura, takimet janë bërë për modelin.
Unë them se kanë qenë të hapur dhe mendimet i kanë shprehur edhe në media për këtë çështje.
(Kosova Sot Online)