Granit Plava shkoi në klub nate pas vrasjes së Liridona Ademajt

  • A.P /
  • 10 October 2025 - 10:07
Granit Plava shkoi në klub nate pas vrasjes së Liridona Ademajt

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të radhës në gjykimin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Dëshmitari Florian Avdija, i propozuar nga Prokuroria, dha dëshminë e tij nën betim, duke u përgjigjur në lidhje me njohjen me të akuzuarit dhe veprimtarinë e tij në një biznes familjar

“Me sa më kujtohet, jam marrë në pyetje për një biznes familjar. Më kanë pyetur nëse i njihja të akuzuarit dhe kam thënë po, sepse janë bashkëfshatarë të mi. Naimin e njoh më pak, e kam parë rreth 10 herë sepse ka jetuar jashtë vendit. Ndërsa Granitin dhe Kushtrimin i kam pasur klientë”, deklaroi Avdija para trupit gjykues.

Ai shtoi se gjatë marrjes në pyetje nga hetuesia, i ishte kërkuar të tregonte nëse kishte parë ndonjë shumë të madhe parash, por e kishte mohuar një gjë të tillë.

Lidhur me natën e ngjarjes, dëshmitari tha:

“Natën kritike kam kontaktuar me Granitin, rreth orës 00:00. Kanë qenë në një klub nate. I qëndroj prapa deklaratës që kam dhënë në polici.”

Avdija sqaroi se më 30 nëntor është bërë një video në të cilën shfaqet Graniti me dy vajza. Ai theksoi se nuk ka vërejtur ndonjë sjellje të dyshimtë nga Graniti apo Kushtrimi.

“Nuk kemi parë ndonjë sjellje të keqe. Graniti dhe Kushtrimi kanë ardhur shpesh për kafe në lokalin tonë. Kushtrimi me Naimin kanë ardhur dy herë, por asnjëherë të tre bashkë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)