Nicolas Sarkozy niset drejt burgut për të vuajtur dënimin pesëvjeçar

  • A.P /
  • 21 October 2025 - 10:14
Nicolas Sarkozy niset drejt burgut për të vuajtur dënimin pesëvjeçar

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy la shtëpinë e tij në Paris dhe u nis drejt burgut, duke ecur dorë për dore me gruan e tij Carla Bruni dhe një turmë njerëzisht të mbledhur brohoritën “Nicolas, Nicolas”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sarkozy hipi në një makinë drejt burguy La Santé të kryeqytetit francez, ku do të fillojë dënimin pesëvjeçar, një rënie tronditëse për një burrë që ishte president i Francës midis viteve 2007 dhe 2012.

Një gjykatë në Francë vendosi ta burgosë ish-udhëheqësin konservator pasi e gjeti fajtor për komplot për të siguruar fonde për fushatën elektorale nga Libia, raporton Reuters, transmeton Gazeta Express.

Sarkozy do të bëhet ish-udhëheqësi i parë francez që burgoset që kur bashkëpunëtori nazist Marshal Philippe Petain u dënua pas Luftës së Dytë Botërore.

Të martën, ai shkroi në një mesazh të gjatë në X: “Dua t’u them (popullit francez), me forcën e patundur që është imja, se nuk është një ish-president i Republikës që po burgoset këtë mëngjes – është një njeri i pafajshëm”.

Dënimi i Sarkozisë i jep fund viteve të tëra betejash ligjore mbi akuzat se fushata e tij e vitit 2007 mori miliona dollarë nga udhëheqësi libian Muamar Gadafi, i cili më vonë u rrëzua dhe u vra gjatë kryengritjeve të Pranverës Arabe.

Ndërsa Sarkozy u shpall fajtor për komplot me bashkëpunëtorë të afërt për të organizuar skemën, ai u shpall i pafajshëm për marrjen apo përdorimin personal të fondeve.

Ai ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje dhe e ka quajtur çështjen të motivuar politikisht.

“Jam shumë krenar për të, krenar që po shkon në burg me kokën lart dhe absolutisht i bindur për pafajësinë e tij”, tha për BFM TV vëllai i tij, Guillaume Sarkozy, i cili ishte mes familjarëve dhe mbështetësve që brohoritën Nicolas Sarkozy-n gjatë rrugës për në burg.


(Kosova Sot Online)