Siria ka njohur Kosovën shtet të pavarur
Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se shteti i Sirisë ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Ajo tha se arritën marrëveshje në Riad me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite dhe falënderoi presidentin e Sirisë Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës.
“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë”, ka shkruar Osmani.
Ajo tha se populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë.
“Prandaj, kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë”, tha presidentja e vendit.
Osmani e quajti këtë akt historik dhe tha se Republika e Kosovës po ec përpara.
“Falënderoj Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona. Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë!”.
Siria bëhet shteti i tretë brenda këtij viti që njohu pavarësinë e Kosovës, duke pasuar shtetet afrikane, Sudanin dhe Kenian.
Njohjet e këtij viti erdhën pas një periudhe të gjatë të ngecjes diplomatike të Kosovës për të siguruar njohje të reja në vitet e fundit. Para këtyre, shteti i fundit që e njohu Kosovën ishte Izraeli në vitin 2021.
(Kosova Sot Online)
