 
															Vdiq ish-kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano
 
															Ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare ish-kryeministri i Shqipërisë dhe lideri socialist Fatos Nano, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Fatos Nano lindi më 16 shtator të vitit 1952 në Tiranë, ndërsa ka qenë themeluesi i parë dhe kryetari i Partisë Socialiste që nga 12 qershori i vitit 1991 e deri në vitin 2005.
Ish-kryeministri mbaroi gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, ndërsa kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës (Fakulteti i Ekonomisë). Në vitin 1975 kreu specializimet për Ekonomi Politike.
Ai e nisi karrierën e tij politike në vitin 1991, pasi u zgjodh kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizonte zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri.
Zgjedhjet e 31 marsit 1991 u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ai u caktua përsëri kryeministër. Pas dy muajsh ai u detyrua të japë dorëheqjen. Atë vit ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste, e cila ishte pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërisë.
Në mars 1992 Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit më pas Fatos Nano u burgos, pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata. Burgosja e tij u bë problemi kryesor i Shqipërisë postkomuniste, sepse shumë socialistë besonin se kjo burgosje ishte shkak i opozicionit të Nanos ndaj qeverisë së Berishës.
Ai u rikthye në detyrë në vitin 1997, ndërsa u detyrua sërish të japë dorëheqjen pas revoltës popullore. Në vitin 1999 Nano u gjykua i pafajshëm nga një gjykatë në Tiranë ndaj akuzave për shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Partia Socialiste vazhdoi qeverisjen e vendit dhe fitoi zgjedhjet në qershor 2001. Nano u bë kryeministër për të tretën herë në korrik 2002, i emëruar nga presidenti Alfred Moisiu. Më 3 korrik 2005 Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe shumicën në parlament. Më 1 shtator 2005 Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste, ndërsa u pasua nga Edi Rama.
Si deputet i Parlamentit Shqiptar, Nano ka shërbyer zonën e Kuçovës, Tepelenës dhe Sarandës.
(Kosova Sot Online)
 
																													 
																													 
																													 
																													 
																													 
																													