Nxënësit kosovarë prapa atyre evropianë në mësimnxënie

  • A.P /
  • 06 November 2025 - 08:43
Nxënësit kosovarë prapa atyre evropianë në mësimnxënie

Në seksionin për arsim në Raportin e Progresit për Kosovën thuhet se rezultatet e testit PISA të vitit 2022 kanë treguar që 15-vjeçarët nga Kosova janë për 4.5 vjet prapa bashkëmoshatarëve të tyre në BE, për sa i përket mësimnxënies, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kjo është vetëm një prej gjetjeve për arsimin që është përfshirë në dokumentin e miratuar të martën nga Komisioni Evropian. Aty përmenden edhe përparimi i paktë në edukimin e fëmijërisë së hershme si dhe regresi në arsimin bazik

Edukimi në fëmijërinë e hershme ka shënuar pak përmirësim ndërsa arsimi bazik ka pësuar regres, ka konstatuar Raporti i Progresit për Kosovën, i cili është publikuar të martën.

Bazuar në këtë raport, buxheti për arsimin dhe për kujdesin e hershëm të fëmijëve është rritur për 9 për qind, porse është shënuar rënie prej 4.7 për qind në financimin e arsimit bazik gjatë vitit 2024, krahasuar me një vit më parë.

“Pas zhvillimeve pozitive në arsimin dhe kujdesin e hershëm të fëmijërisë, Ministria e Arsimit ka filluar zbatimin e klasës së detyrueshme parashkollore (fëmijët 5 vjeç) për vitin akademik 2024/2025. Edhe pse Kosova po bën përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsimit bazë/parauniversitar, zbatimi i strategjisë së arsimit të Kosovës për vitet 2022-2026 mbetet prapa. Financimi për arsimin bazë publik vazhdon të ulet, duke rënë me 4.7% nga viti 2023 në vitin 2024”, është thënë në Raportin e Komisionit Evropian (KE) për Kosovën.

(Kosova Sot Online)