Paralajmërohet padi për Dimal Bashën pasi e krahasoi rastin Dehari me Millosheviqin

  • A.P /
  • 15 November 2025 - 11:15
Paralajmërohet padi për Dimal Bashën pasi e krahasoi rastin Dehari me Millosheviqin

Avokati Gent Gjini ka njoftuar sot se do të parashtrojë një padi ndaj kryeparlamentarit Dimal Basha, pas krahasimit që ky i fundit bëri mes rastit të Astrit Deharit dhe Millosheviqit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Po duke ditur ditë më parë, në përvjetorin e ndjerit Astrit Dehari, zoti Dimal Basha, në prezencë të kamerave dhe të publikut, ka bërë një veprim të pa hishëm dhe të pa matur politikisht, duke krahasuar rastin e Deharit me atë të Millosheviqit,” ka deklaruar avokati Gjini.

Avokati ka shtuar se njëra nga klientet e tij, zonja Mihrije Daqa, ka pësuar humbjen e dy djemve të saj nga krimet e regjimit të Millosheviqit. “Duke ditur që unë jam avokat i zonjës Mihrije Daqa, që ditë më parë në Gjykatën Speciale në Departamentin për Krime Lufte në Prishtinë është gjykuar krimineli serb i udhëhequr nga regjimi i Millosheviqit dhe është dënuar me 15 vite, ato vuajtje kanë qenë të freskta për zonjën Mirije, e cila ka humbur të dy djemtë e saj. Tash del një kryeparlamentar që bën një krahasim banal duke thënë se rasti i Deharit është më i rëndë se ai i Millosheviqit,” tha Gjini.

Në padi, avokati ka përfshirë disa kërkesa kryesore:

Tërheqja e deklaratave nga zoti Basha;

Kërkesë publike për falje ndaj familjeve të viktimave të regjimit të Millosheviqit;

Kompensim për dëmin moral dhe material;

Përfaqësimi ligjor në emër të institucioneve publike të Republikës së Kosovës.

Avokati Gjini theksoi se deklarata e kryeparlamentarit është një akt pa precedent dhe duhet të dënohet nga gjykata, duke respektuar kujtimin e viktimave dhe vuajtjet e familjeve të tyre.

(Kosova Sot Online)