Policia e Kosovës del me njoftim: Arrestuam katër gjuetarë serbë

  • A.P /
  • 17 November 2025 - 12:00
Policia e Kosovës del me njoftim: Arrestuam katër gjuetarë serbë

Katër gjuetarë serbë janë arrestuar dje në fshatin Sfircë, brenda territorit të Kosovës. Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës nëpërmjet një deklarate për media, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas policisë, katër serbët kishin kaluar ilegalisht vijën kufitare dhe me vete kishin armë.

“Njësite policore kanë arrestuar katër persona të dyshuar ( gjuetarë) shtetas të Serbisë për kallim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje, te cilët kanë hyrë nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës”.

Sipas policisë, armët dhe municioni i gjetur janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit, me vendim të organeve kompetente të drejtësisë, janë dërguar në mbajtje konform procedurave ligjore.

“Policia e Republikës së Kosovës u bën thirrje mediave që të referohen vetëm në burime të verifikuara dhe të shmangin publikimin e informacionit të pa konfirmuar, i cili mund të ndikojë negativisht në rendin dhe sigurinë publike”, njofton policia.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë së përgjithshme, zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit publik për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)