NATO do të vazhdojë të blejë armë nga SHBA për Ukrainën

  • A.P /
  • 04 December 2025 - 09:15
NATO do të vazhdojë të blejë armë nga SHBA për Ukrainën

Nuk duket të ketë shenja për një sukses të bisedimeve për Ukrainën. Për të rritur presionin ndaj Rusisë, sërish synohet të lëvrohen miliarda euro edhe nga Gjermania për armatime, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Shtetet e NATO-s në takimin e ministrave të Jashtëm në Bruksel ranë dakord, që edhe vitin e ardhshëm të lëvrojnë miliarda për blerjen e armëve dhe municoneve për Ukrainën. Çdo muaj do të blihen për të paktën një miliardë dollarë amerikan (900 milion euro) armatime nga prodhimet e SHBA-së. Bëhet fjalë për blerjen e raketave pritëse për sistemet e mbrojtjes ajrore, por edhe për sisteme ofensive, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Gjithsej mund të nevojiten rreth 15 miliardë dollarë, thuhet më tej.

Gjermania premton së shpejti miliona të mëtejshme 

Edhe Gjermania, sipas ministrit të Jashtëm Johann Wadephul do të marrë pjesë me një volum të konsiderueshëm. Ministri kritstiandemokrat deklaroi, se Gjermania do të lëvrojë gjithsej 200 milion dollarë (rreth 172 milionë euro) për dy paketa të reja me armatime nga SHBA-ja për Ukrainën. Kjo shumë nuk do të llogaritet për vitin 2026. Armatimet do të blihen bashkarisht me Poloninë, Norvegjinë dhe Holandën në një paketë të financuar ndërkohë me 500 milion dollarë. Ministri Wadephul deklaroi gjithashtu, se Gjermania do të paguajë shtesë edhe 25 milionë euro në një fond të NATO-s për pajisjen e ushtareve dhe ushtarëve me mjetet e nevojshme për dimrin si dhe për kujdesin shëndetësor.

Çështje të hapura pas takimit Witkoff-Putin

Rutte e konsideron të pasigurtë rezultatin e bisedimeve që po zhvillohen ndërkohë mbi mundësinë e përfundimit të luftës ndaj Ukrainës. Në një sfond të tillë është e rëndësishme, që Ukraina të mund të negociojë nga një pozitë mundësisht sa më e mirë ushtarake me Rusinë. 

Ministri i Jashtëm Wadephul u shpreh edhe më pesimist. Ai tha, se përshëndet të gjitha bisedimet, që kanë për qëllim fundin e luftës. Por për momentin nuk shoh asnjë vullnet serioz nga pala ruse, për t’u vendosur në modusin e bisedimeve.

Pas bisedimeve të të dërguarit të SHBA-së Steve Witkoff me presidentin rus Vladimir Putin, Ukraina ka nisur për konsultime në Bruksel dhe në SHBA kryenegociatorin e saj, Rustem Umjerov. Ky në kuadër të takimit të NATO-s pati mundësi të takohet me këshilltarët kombëtarë të sigurisë të vendeve të NATO-s si dhe me kryetarët e shteteve dhe qeverive europiane, vuri në dukje presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj. Pas kësaj do të përgatitet një takim me SHBA-në.

(Kosova Sot Online)