Bosnja e Hercegovina po hyn në rrjetin e borxheve dhe ndikimit politik të Pekinit

  • A.P /
  • 05 December 2025 - 13:30
Bosnja e Hercegovina po hyn në rrjetin e borxheve dhe ndikimit politik të Pekinit

Pyetja nëse Bosnja e Hercegovina po hyn në rrjetin e borxheve dhe ndikimit politik të Pekinit shtrohet pas prezantimit të planit të ri pesëvjeçar të Kinës, i cili i premton Bosnjës partneritet “fitim-fitim” dhe mundësi investimi: nga infrastruktura dhe energjetika, përmes bujqësisë, e deri te teknologjitë e avancuara, si inteligjenca artificiale.

Derisa Pekini porosit se “ta ndjekësh Kinën hap pas hapi është njëlloj sikur ta ndjekësh mundësinë”, analistët bëjnë thirrje për “kujdes”.

Ata rikujtojnë modelet e deritanishme të bashkëpunimit që janë karakterizuar nga kontrata të fshehta, mungesë transparence, rreziqe ekologjike dhe ndikim gjithnjë e më i dukshëm politik i Kinës në çështjet e brendshme të Bosnjës.

“Qasja kineze është gjithmonë strategjike dhe afatgjatë”, thotë Pippa Gallop nga rrjeti ndërkombëtar Bankwatch, i cili, ndër të tjera, merret me vëzhgimin e projekteve energjetike me pjesëmarrje kineze në Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, risi paraqet përfshirja “e pazakontë” e Kinës në punët e brendshme të Bosnjës.

Si shembull, ajo përmend fjalimin e përfaqësuesit të Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në nëntor të këtij viti, gjatë të cilit, ai foli kundër përfaqësuesit të lartë në Bosnje, duke vënë në pikëpyetje edhe miratimin e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në kontekstin e “rritjes së tensioneve” në vend.

Ajo shton se Kina në vende si Bosnja, “jo vetëm që investon në projekte infrastrukturore, por edhe ndërton ngadalë ndikim përmes kredive, rrjeteve të kompanive dhe iniciativave kulturore”.

Këtë e mbështesin të dhënat e Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Huaja në Bosnje, sipas të cilave nga viti 2010 deri në vitin 2022, Bosnja mori borxh te kreditorët kinezë mbi 2.44 miliardë dollarë, kryesisht për ndërtimin e autostradave, hidrocentraleve dhe termocentraleve.


(Kosova Sot Online)