ShBA ua ndalon hyrjen shtetasve të Sirisë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zgjeruar një vendim për ndalim udhëtimesh në vendin e tij duke i përfshirë edhe shtetasit e gjashtë vendeve të tjera, përfshirë Sirinë dhe ata që kanë pasaporta të lëshuara nga Autoriteti Palestinez, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në një postim në rrjete sociale, Shtëpia e Bardhë tha se Trumpi, i cili për një kohë të gjatë ka bërë fushatë për kufizimin e migrimit, po vepron “për ta mbrojtur sigurinë e Shteteve të Bashkuara”, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
Kjo lëvizje është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për t’i ashpërsuar standardet e hyrjes në ShBA për udhëtime dhe imigrim dhe vjen pas arrestimit të një shtetasi afgan të dyshuar për të shtënat ndaj dy pjesëtarëve të Gardës Kombëtare në fundjavën e Falënderimeve.
Përpos ndalimit të hyrjes në ShBA për ata që kanë pasaporta të Autoritetit Palestinez, administrata republikane njoftoi se hyrja do t’u ndalohet edhe shtetasve të Burkina-Fasos, Malit, Nigerit, Sudanit të Jugut dhe Sirisë.
Për më tepër, 15 shtete do t’i shtohen listës së vendeve që ballafaqohen me kufizime të pjesshme: Angola, Antigua dhe Barbuda, Benini, Kepi i Fildishtë, Dominika, Gaboni, Gambia, Malavi, Mauritania, Nigeria, Senegali, Tanzania, Tonga, Zambia dhe Zimbabveja.
(Kosova Sot Online)
