Kapja e Maduros, presidentja venezuelase: Na dhanë 15 minuta kohë
Një video e rrjedhur nga një takim i mbyllur ka nxjerrë në pah përpjekjet e dëshpëruara të regjimit venezuelas për të kontrolluar narrativën publike pas kapjes së presidentit Nicolás Maduro nga forcat amerikane, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në pamjet e publikuara, shihet ministri i Komunikimit, Freddy Nanez, duke vendosur telefonin pranë mikrofonit përpara një grupi mbështetësish pro-qeveritarë, ndërsa në altoparlant dëgjohet zëri i presidentes në detyrë, Delcy Rodríguez.
Rodríguez pretendon se në momentin kur forcat amerikane kapën Maduron, atij, vëllait të saj Jorge Rodríguez dhe Diosdado Cabello iu dhanë vetëm 15 minuta kohë për t’u përgjigjur nëse do t’u përmbaheshin kërkesave të Uashingtonit, duke i kërcënuar se “përndryshe do t’i vrisnin”.
Ajo thotë se ishin të detyruar të bashkëpunonin për shkak të “kërcënimeve dhe shantazhit të vazhdueshëm”, duke shtuar se prioriteti i tyre kryesor ishte ruajtja e pushtetit politik, shkruan The Guardian.
Videoja është regjistruar rreth shtatë ditë pas sulmit të forcave amerikane dhe pasqyron shqetësimin e figurave të larta të regjimit se mund të përballeshin me akuza për tradhti, si dhe frikën se lëvizja e brendshme politike mund të shpërbëhej.
Gjatë takimit, ministri i Komunikimit pohon se qeveria ishte duke negociuar për të shpëtuar pozicionin e saj dhe se zhvillimet ishin pjesë e një plani më të gjerë për të kontrolluar situatën, përfshirë edhe çështjen e shitjes së naftës.
Megjithatë, Rodríguez nuk e ka përsëritur zyrtarisht pretendimin për kërcënime me vdekje, por ka deklaruar se janë në proces dialogu me Shtetet e Bashkuara për të adresuar dallimet dhe sfidat përmes diplomacisë.
Analistët politikë vlerësojnë se mbetet e vështirë të verifikohet nëse kërcënimet ishin reale apo një konstrukt i përdorur për të mbajtur të bashkuar bazën politike të regjimit.
(Kosova Sot Online)
