Këta janë më të dëmtuarit nga manipulimi me vota

  • A.P /
  • 27 January 2026 - 08:29
Këta janë më të dëmtuarit nga manipulimi me vota

Arian Tahiri, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, pësoi më së shumti nga manipulimi me vota. 

Tahirit, nga rinumërimi i votave deri më tani, i janë rikthyer 878 votat e vjedhura. 

Më së shumti vota, nga të dhënat e KQZ-së deri në orën 16, përveç Tahirit te PDK-ja u janë vjedhur edhe tre kandidatëve të tjerë për deputetë: Uran Ismailit 663 vota, Përparim Grudës 567 vota e Abelard Tahirit 499 vota. 

E nga LDK-ja, më së shumti vota iu vodhën Paris Gurit, gjithsej 429. 

Top pesëshen e kandidatëve për deputetë nga radhët e LDK-së, që pas rinumërimit iu kthyen votat e vjedhura, e plotësojnë Ukë Rugova me 189 vota, Armend Zemaj me 137, Festim Kabashi me 126 vota e Jasemin Bujari me 121.

Kurse, më të dëmtuarit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje janë Alban Bajrami me 298 vota të vjedhura e Hajrullah Ceku me 252 vota. Bajramin e Çekun e pasojnë Shqipe Mehmeti-Selimi me 171 vota, Fatos Geci me 170 vota e Arben Vitia me 155.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, më së shumti vota i janë vjedhur Agim Çekut – 98 sosh. Ai pasohet nga Daut Haradinaj me 50 vota të vjedhura, Arton Demhasaj me 43 e Diellza Kukaj me 37.
Deri pasditen e së hënës, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë rinumëruar 69.18 për qind e 2 mijë e 557 vendvotimeve.

E zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se planifikojnë që i gjithë procesi i rinumërimit të përmbyllet deri të shtunën. 

Por sipas Elezit, shpallja e rezultateve përfundimtare e certifikimi i tyre varet nga procese të tjera.

“Mbetet të shihen nëse do të ketë fillimisht ankesa dhe pastaj natyra e tyre dhe sigurisht edhe vendimmarrja e institucioneve që i ankojnë këto ankesa, PZAP dhe Gjykata Supreme. Se sa kohë pastaj i duhet  KQZ-së për të certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve nga shpallja e tij kjo varet krejtësisht nga ankesat që paraqiten në këto institucione dhe vendimmarrja e tyre”, tha Elezi. 

Gjetjet gjatë rinumërimit të disa vendvotimeve bënë që KQZ-ja të vendosë për hapjen e të gjitha kutive të votimit. Nga hetimet e deritanishme të zhvilluara nga Prokuroria në Prizren, 22 komisionerëve e një vëzhguesi u është caktuar paraburgim prej një muaji.

(Kosova Sot Online)