Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës del me njoftim

  • A.P /
  • 27 January 2026 - 14:15
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës del me njoftim

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se në vend vërshimet/përmbytjet, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, si pasojë e kushteve meteorologjike (intensitet i lartë i reshjeve për periudhë të shkurtë kohore, shkrirja e shpejtë e borës), pastaj faktorët gjeomorfologjik – relievi, pjesa më e madhe e ujërrjedhave, burimin e tyre ose formohen në viset më të larta të cilat rrjedhin rrëmbyeshum në formë të rrëkeve, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas një raporti të IHMK-së thuhet se vetëm disa lumenj, ose pjesë të tyre si p.sh lumi Sitnica, Ibri, rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, për shkak të karakterit fushorë, përmbysin më ngadalë, shkaku i sipërfaqes, pozitës, konfiguracionit të terrenit.

“Në Kosovë brenda një periudhe 5 vjeçare, kemi pasur paraqitje të përmbytjeve me shkallë më të lartë gjatë vitit 2021, 2023 dhe tani nga 5 – 8 janar 2026. Këto të fundit, ishin në përmasa me një periudhë kthyese hidrologjike prej 50 viteve (sidomos pjesa perëndimore apo pellgu i Drinit të Bardhë). Si pasojë e reshjeve të shumta të shiut e pastaj edhe të shkrirjes së borës (sidomos në zonat më të lara malore), fillimisht në pjesën perëndimore (Rrafshi i Dukagjinit), qendrore (disa pjesë të Rrafshit të Kosovës dhe Drenicës), e më pas edhe në pjesën më të madhe të vendit, lumenjtë kryesorë të Kosovës, si Drini i Bardhë (kryesisht rrjedha e mesme dhe e poshtme), pastaj, Ereniku, Mirusha, Toplluha, Bistrica e Deçanit, Lumi Klina, Sitnica, Drenica, Ibri etj me degët e tyre, duke filluar nga datë 05-08/01/2026, kanë pasur ngritje të shpejta dhe të larta të niveleve dhe prurjeve të ujit”.

IHMK bën të ditur se nga 08/01/2026 e deri më datë 10/01/2026, mesatarisht në territorin e së Kosovës kanë rënë 41.3 mm (l/m2) reshje, ndërsa nga datë: 01-10/01/2026, mesatarisht në Kosovë kanë rënë 124.1 mm, apo ≤ 64.9 mm ose 50.6% më shumë se sasia mesatare e janarit 1961 – 2024.

Po ashtu, në njoftim thuhet se sasia më e lartë e reshjeve prej 400.4 mm (l/m2), gjatë kësaj periudha është regjistruar në Junik, pastaj në Gllogjan 331.2 mm, Radoniq 280.8 mm, Kuqishtë 256.8 mm, Kramovik 245.5 mm, Gjakovë 217.3 mm, Restelicë 201.8 mm, Klinë 199 mm etj.

(Kosova Sot Online)