Njihuni me të gjitha rastet ligjore të tërheqjes së kursimeve pensionale
Kursimet pensionale përbëjnë një nga shtyllat kryesore të sigurisë financiare për qytetarët pas përfundimit të jetës aktive të punës. Megjithatë, shumë kontribuues ende nuk janë të qartë kur, si dhe në çfarë rrethanash mund t’i tërheqin këto mjete nga Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK), transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Më poshtë paraqiten të gjitha rastet ligjore të tërheqjes së kursimeve pensionale, procedurat përkatëse dhe dokumentacioni i nevojshëm.
Pensioni i moshës – forma më e zakonshme e tërheqjes
Kur mund të tërhiqen kursimet?
Tërheqja e kursimeve pensionale bëhet kur kontribuuesi arrin moshën 65 vjeç. Aplikuesi duhet të dëshmojë moshën përmes një dokumenti valid identifikimi.
Si bëhet tërheqja?
Mënyra e tërheqjes varet nga bilanci i kursimeve në momentin e aplikimit:
Nëse bilanci është deri në 3,000 euro
Kursimet tërhiqen përnjëherë. Kontribuuesi mund të ofrojë llogari në cilëndo bankë në Kosovë. FKPK-ja i mbulon shpenzimet e transferit dalës, ndërsa tarifat eventuale hyrëse mbulohen nga përfituesi.
Nëse bilanci është mbi 3,000 euro
Kontribuuesi kalon në programin e Tërheqjes në Faza, i rregulluar me ligj dhe me rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës.
Përfituesi mund të:
tërheqë 20% të kursimeve përnjëherë
pjesën tjetër ta pranojë përmes kësteve mujore, minimumi 200 euro në muaj, ose maksimumi 1% e bilancit total (kur shuma tejkalon 20 mijë euro).
(Kosova Sot Online)
