Kurti sot takon Abdixhikun, kjo është arsyeja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të dielën vonë me liderin e partisë kryesore opozitare në vend, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në atë që duket të jetë fillimi i përpjekjeve të tij për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, për t’i shmangur një palë zgjedhje të tjera të parakohshme.
Kosova duhet të ketë president të ri më së largu deri më 4 mars, sipas ligjeve, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati në fillim të prillit.
Osmani po e kërkon edhe një mandat të dytë pesëvjeçar, por ajo nuk duket ta ketë mbështetjen e nevojshme për t’u rizgjedhur.
Deri tani nuk është paraqitur apo përmendur ndonjë kandidat tjetër i mundshëm për president.
Kurti – partia e të cilit ka 57 vende në Kuvend – tha se bisedoi me Hamzën, ndër të tjera, edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, dhe se do ta takojë sot edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, tha Kurti pas takimit me Hamzën.
Ai shtoi se Hamza – partia e të cilit ka 22 ulëse, shprehu “gatishmërinë” e tij për bashkërendim parlamentar për çështje të “interesit shtetëror e kombëtar”.
(Kosova Sot Online)
