Hoti: Deklarata e FMN-së evidenton rreziqe serioze për stabilitetin ekonomik

  • A.P /
  • 23 February 2026 - 12:15
Hoti: Deklarata e FMN-së evidenton rreziqe serioze për stabilitetin ekonomik

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka përcjellë vlerësimet e misionit të Fondi Monetar Ndërkombëtar pas vizitës dyjavore në Kosovë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Misioni përmbylli më 13 shkurt 2026 konsultimet sipas Nenit IV, që mbikëqyr politikat ekonomike të vendeve anëtare.

Sipas Hotit, deklarata e FMN-së evidenton rreziqe serioze për stabilitetin ekonomik dhe fiskal të vendit.

Rritja ekonomike ka rënë në 3.25 për qind në tremujorin e tretë 2025, nga 4.75 për qind një vit më herët.

Dobësimi i konsumit dhe investimeve private lidhet me ngadalësimin e kreditimit dhe rënien e të ardhurave reale.

Inflacioni arriti 5.25 për qind në dhjetor 2025, nga 1.1 për qind në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Deficiti i llogarisë rrjedhëse u zgjerua në 9.6 për qind të PBB-së, për shkak të rritjes së importeve, veçanërisht energjisë.

Hoti thekson se FMN rekomandon lidhjen e pagave publike me inflacionin dhe përcaktimin e pagës minimale sipas produktivitetit.

Kreditë bankare, që kanë arritur 60 për qind të PBB-së, kërkojnë mbikëqyrje më të kujdesshme, sidomos ndaj sektorit të patundshmërive.

Po ashtu, kërkohet rregullim më i fortë i institucioneve mikrofinanciare për të mbrojtur integritetin financiar.

Hoti argumenton se këto vërejtje përputhen me kritikat e tij të mëhershme ndaj politikave fiskale dhe mungesës së investimeve publike.

Sipas tij, paralajmërimet e FMN-së duhet të shërbejnë si sinjal për rishikim të kursit ekonomik.

(Kosova Sot Online)