Osmani: Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur të hënën në takim lamtumirës komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR, kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisianës, si dhe pasuesin e tij, kolonelin Sam Sargeant, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Gjatë takimit, siç bëhet e ditur në një njoftim, Osmani e falënderoi kolonelin Lloyd për shërbimin dhe përkushtimin e tij gjatë mandatit në Kosovë, duke vlerësuar lart kontributin në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon. Në shenjë mirënjohjeje, ajo i ndau atij një mirënjohje për angazhimin e çmuar.
Më tej, e para e shtetit i uroi mirëseardhje kolonelit Sargeant, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.
Osmani shprehu mirënjohjen e thellë, në emër të popullit të Kosovës, për vazhdimin e pranisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në vend si pjesë e misionit të KFOR-it, e cila është jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Në këtë kontekst, ajo theksoi se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e palëkundur në të gjitha etapat.
(Kosova Sot Online)
