Serbia blen raketa kineze me rreze të gjatë
Serbia bleu raketa balistike supersonike nga Kina, konfirmoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa Kroacia fqinje kërkoi reagim nga aleanca e NATO-s.
Me këtë blerje, Serbia u bë vendi i parë, pas Pakistanit, që siguroi nga Kina raketa CM-400, me fuqi të madhe shkatërruese.
Sipas regjistrave të armëve, të disponueshëm ndërkombëtarisht, është i vetmi vend në Evropë që i zotëron ato, ndërsa është i rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s.
Ky veprim “ndezi alarmin” në rajon, sepse objektivat e këtyre raketave, me fuqi të madhe shkatërruese, mund të jenë disa qindra kilometra larg.
Vuçiq tha se Serbia nuk e ka ndërmend të sulmojë askënd, por pohoi se ushtria ka tashmë “një numër të konsiderueshëm raketash” dhe “do të ketë edhe më shumë”.
Megjithatë, ai nuk tregoi se sa është numri i saktë i tyre, kur janë blerë dhe sa kanë kushtuar.
Presidenca, Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me detajet e prokurimit të armëve të reja nga Kina.
Serbia po e thellon bashkëpunimin ushtarak me këtë vend, pavarësisht kritikave nga Perëndimi.
Deri më tani, nuk ka komente as nga Bashkimi Evropian, Departamenti i Shtetit i SHBA-së ose selia e NATO-s.
Analisti ushtarak serb, Aleksandar Radiq, beson se Perëndimi “nuk do të heshtë” ndaj vendimit të autoriteteve serbe për ta zgjedhur Kinën partnere për prokurimin e raketave hipersonike.
“Kjo është një zgjedhje politike nga Aleksandar Vuçiq. Kina e mbështet atë, ndërsa ai blen armë kineze. Prokurimi është, në fakt, një instrument i politikës së jashtme, një mekanizëm me të cilin hyn në një marrëdhënie të fortë dhe strategjike dhe pret një nivel të caktuar mirëkuptimi dhe mbështetjeje për interesat tua”, thotë Radiq për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se Serbia, si një vend që nuk është pjesë e aleancës së NATO-s, as që mund të priste të blinte armë “kaq shkatërruese në Perëndim”, nga ndonjëri prej shteteve anëtare.
“Edhe kur je brenda NATO-s, je i kufizuar në mënyrën dhe kohën kur do të marrësh fonde të caktuara, e lëre më kur nuk je. Kina, nga ana tjetër, është e gatshme t’i shesë arritjet e veta teknologjike, që vendet e tjera nuk duan t’i shesin ose nuk i posedojnë”, thotë Radiq.
Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen (SIPRI), Pekini është furnizuesi më i madh ushtarak i Beogradit.
Në pesë vjetët e fundit, pothuajse dy të tretat e armëve në Serbi arritën nga Kina.
Edhe pse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paralajmëruar vazhdimisht autoritetet në Serbi për rreziqet e thellimit të bashkëpunimit ushtarak me Kinën, deri më tani nuk ka pasur masa më specifike.
(Kosova Sot Online)
