Tahiri: Qeveria Kurti me kabinetin më të madh në rajon
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një konferencë për media, ka paraqitur një analizë të strukturës së kabinetit qeveritar.
Për këtë, ai tha se 453 persona janë emëruar politikisht, derisa pati kritika edhe për kryeministrin Albin Kurti.
“Po flasim për madhësinë e qeverisë, e cila mos asgjë tjetër përshkruan një qeveri totalisht fiktive, ministri fiktive dhe akomodim të partisë në pushtet në qeveri. Me një kabinet i cili është një ndër më të mëdhenjtë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa në krahasim me numrin e popullatës është padyshim më i madh se i Kinës, se i Indisë, se i Pakistanit. Dhe tani më lejoni të paraqes para jush analizën tonë”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar rregulloren e saj me numër 04/2026, ku ka prezantuar strukturën e ministrive, anëtarët e kabinetit dhe mbi të gjitha ka krijuar ministri të cilat nuk kanë portofol real, po kanë portofol fiktiv me qëllimin e vetëm për të rritur numrin e ministrive, për të pasur sa më shumë staf të emëruar politik dhe në të njëjtën kohë për të akomoduar agjendën e tyre partiake. Kur e shohim këtë rregullore, e shohim po ashtu një ndarje e cila nuk reflekton sot nevojën e Kosovës. Po më lejoni të bëj një prezantim para jush: kjo është analiza e strukturës së kabineteve qeveritare, e cila kur e shohim kornizën ligjore, flasim kështu: Kryeministri: Ka deri 24 këshilltarë politikë, prej tyre 10 të jashtëm dhe 15 staf. Zëvendëskryeministrat: Kanë 8 deri në 11 këshilltarë, prej tyre janë pesë të jashtëm dhe gjashtë staf brenda kabineteve të veta. Ministrat: Kanë deri në shtatë këshilltarë politikë, tre të jashtëm dhe katër staf. Zëvendësministrat pa portofol: (Pra që nuk ekzistojnë ministrat që kanë ministri, pra ata që janë pa portofol) kanë deri në dy staf. Supozimi analitik është ky: 19 ministri dhe minimum dy zëvendësministra për ministri, që përbëjnë gjithsej 38. Kjo është struktura bazë ku paraqitet numri i pozicioneve kryesore në qeveri: normal është kryeministri, tre zëvendëskryeministra, 19 ministrat, 38 zëvendësministra, shikoni, 57 anëtarë të stafit politik”, tha ai.
(Kosova Sot Online)
