Lumir Abdixhiku ka publikuar pasurinë vjetore

  • A.P /
  • 17 April 2026 - 15:30
Lumir Abdixhiku ka publikuar pasurinë vjetore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dorëzuar deklarimin e tij të rregullt vjetor të pasurisë, të cilin Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka filluar ta publikojë sot.

Sipas të dhënave të deklaruara, Abdixhiku këtë vit ka shtuar dy pasuri të paluajtshme në krahasim me vitin e kaluar. Mes tyre është një banesë me vlerë rreth 120 mijë euro, e regjistruar në emër të bashkëshortes dhe e përfituar si trashëgimi nga prindërit. Po ashtu, ai ka deklaruar edhe një tjetër banesë në pronësi të bashkëshortes, me vlerë 100 mijë euro, gjithashtu e trashëguar.

Në listën e pasurive përfshihet edhe një shtëpi në bashkëpronësi me vlerë 200 mijë euro, si dhe një banesë tjetër e blerë me kredi bankare në vlerë 265 mijë euro, po ashtu e deklaruar si pronë e përbashkët. Gjithashtu është përfshirë një shtëpi prej 200 m², e trashëguar dhe e vlerësuar rreth 150 mijë euro.

Sa i përket pasurisë së luajtshme, ai ka deklaruar një veturë Mercedes-Benz të vitit 2019, me vlerë rreth 25 mijë euro, në pronësi të bashkëshortes.

Në pjesën e aksioneve, bashkëshortja e tij figuron me 25% të pronësisë në kompaninë “AMPERA GROUP”, pa u deklaruar vlera financiare e tyre.

Në llogaritë bankare, Abdixhiku ka raportuar 386 euro kursime, si dhe 4,915.36 euro të ardhura nga paga, ndërsa bashkëshortja ka deklaruar 4,293.40 euro nga paga dhe kursimet.

Sa u përket detyrimeve, ai ka deklaruar kredi për renovim shtëpie me mbetje prej 32,502 euro dhe kredi për blerje banese me detyrim të mbetur 126,020.40 euro.

Në të ardhurat vjetore, Abdixhiku ka raportuar 19,904 euro nga funksioni i deputetit dhe 24 mijë euro nga angazhimi në Kolegjin Riinvest.

(Kosova Sot Online)