Kryediplomati belg përmbledh vizitën në Kosovë, kërkon riangazhim në dialog
Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot, ka përmbledhur vizitën e tij të së enjtes në Kosovë në një postim në X.
Ai tha se herën e fundit që kishte vizituar vendin ishte për nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi në si kryetar bashkie i Namurit.
“Këtë herë, jam përsëri në Kosovë si Ministër i Punëve të Jashtme dhe është një kënaqësi e vërtetë”, shkroi ai.
Ai tha se ka pasë diskutime të frytshme me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministrin Albin Kurti dhe homologun e tij, Glauk Konjufca.
“Vizita ime nxjerr në pah angazhimin konkret të Belgjikës në dhe për Kosovën, duke përfshirë kontributin tonë në siguri përmes KFOR-it – të cilin e vizitova dhe të cilit i përsërita mbështetjen tonë – dhe përmes projekteve të kryera në kuadër të Këshillit të Europës”.
Kryediplomati belg përmendi edhe bashkëpunimin për kapacitetet e burgjeve pasi vendi i tij kishte shprehur interesim për t’i marrë në shfrytëzim institucionet korrektuese në Kosovë. Interesimi i Belgjikës kishte ardhur vitin e kaluar pas marrëveshjes që Kosova bëri me Danimarkën për dhënien në shfrytëzim të Burgut të Gjilanit për të strehuar të burgosur danezë.
“Belgjika mbetet e përkushtuar për të forcuar dialogun politik dypalësh dhe për të thelluar bashkëpunimin policor dhe të migracionit, si dhe bashkëpunimin në fushën e kapacitetit të burgjeve”, ka shkruar Prevot.
Ai foli edhe për situatën aktuale politike, duke nxitur atë të gjejë një zgjidhje për stabilitet institucional.
“E inkurajoj Kosovën të gjejë një zgjidhje për bllokimin aktual institucional dhe të punojë drejt një stabilizimi të shpejtë të situatës së brendshme politike, duke përfshirë vëmendjen e vazhdueshme për uljen e tensioneve, veçanërisht në veri. Rruga europiane e Kosovës meriton vëmendjen dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme. Ajo duhet të mbështetet nga një progres i besueshëm. I përgëzoj përpjekjet e Kosovës në këtë drejtim. Këto përpjekje tani duhet të njihen edhe nga BE-ja në tërësi. Belgjika do të jetë një avokate e fortë për këtë qëllim”.
Megjithatë, ai potencoi se kjo rrugë europiane duhet të shkojë së bashku me “një riangazhim” në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe me “përparim të prekshëm” në zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
“Kjo është thelbësore për stabilitetin rajonal”.
“Shkurt: Belgjika është dhe do të mbetet një mbështetëse e vazhdueshme e perspektivës europiane të Kosovës. Llogaritni në angazhimin e Belgjikës!”, përfundoi ai.
(Kosova Sot Online)
