NATO është e përgatitur të mbrojë të gjitha shtetet anëtare të saj
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është zotuar se aleanca do të “bëjë gjithçka që duhet” për të mbrojtur Turqinë, e cila sipas tij u shënjestrua nga raketat iraniane muajin e kaluar. Deklaratat e Rutte u bënë gjatë një vizite në vend.
“Irani po mbjell terror dhe kaos, dhe kjo ndihet veçanërisht këtu në Turqi . Në javët e fundit, NATO ka kapur me sukses, katër herë, raketa balistike të drejtuara drejt Turqisë”, shtoi ai.
Rutte theksoi gjithashtu se NATO është e përgatitur për kërcënime të tilla dhe do të mbrojë të gjitha shtetet anëtare të saj. 32 vendet e NATO-s pritet të takohen në fillim të korrikut në kryeqytetin turk për një samit.
Gjatë vizitës së tij në objektet e Aselsan, Rutte vlerësoi “zhvillimin e shpejtë” të industrisë turke të mbrojtjes, ndërsa pritet të takohet edhe me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.
(Kosova Sot Online)
