Lushaku: VV po prodhon krizë të re politike
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se në vend të një zgjidhjeje për çështjen e presidentit, VV po prodhon një krizë të re politike.
Ajo tha se qytetarët po lihen të vetëm, ndërsa kryeministri synon të qeverisë i pambikëqyrur.
Sipas saj, ka tendencë për kapje të institucioneve, duke përmendur edhe zgjedhjen e Bordit të AKA-së me procedura të shkelura dhe kandidatë të paverifikuar.
“VV po na jep një krizë të re politike, ku qytetarët do të lihen të vetëm e ai do të qeveris i pambikëqyrur që është tipike për një sistem autoritar ku një kryeministër dëshiron të prodhoj më shumë kriza për të qeverisur i pambikëqyrur. Vërtetë kjo është për keqardhje. Por, në anën tjetër tendenca për t’i kapur të gjitha institucionet, duke përfshirë Bordet, shikojeni AKA, ne sot jemi dëshmitarë të kalimit të Bordit të kësaj Agjencie me shpejtësi të dritës, me kandidat të paverifikuar dhe procedura të shkelura brenda institucioneve që i kanë zgjedhur ato. Ne do të jemi dëshmitarë që para syve tonë të shohim një kapje totale të institucioneve që në kushte normale dhe në bazë të kushtetutës sonë do duhej të ishin të pavarura, por partia më i madhe i ka numrat dhe po ia mundëson vetes që t’i kap këto institucione”, ka thënë Lushaku.
Lushaku-Sadriu theksoi se partitë që nuk i kanë numrat nuk mund të japin emra për president, pasi nuk kanë mundësi të propozojnë apo imponojnë kandidatë.
Ajo e quajti fatkeqësi që, sipas saj, kryeministri nuk ka arritur të ofrojë një zgjidhje dhe kërkon mbështetje për një kandidat partiak.
Sipas saj, propozimi për Glauk Konjufcën është i papranueshëm dhe në kundërshtim me deklarimet e mëhershme për kandidat konsensual.
“Nuk mund të kërkosh nga partitë që nuk i kanë numrat që ata t’i japin emrat sepse nuk i kemi numrat, po t’i kishim do të propozonim ose do të gjenim emër koncensual. E treta, është vërtetë fatkeqësi kur një njeri me kaq shumë fuqi dhe legjitimitet nuk arrin të prodhoj një zgjidhje madje thërret partitë politike në negociata, pret që duhet t’ia përkrahim një kandidat totalisht partiak me librezë partike. Nuk kemi diçka kundër Konjufcës por është paradoksale dhe absolutisht e papranueshme që në negociata për me gjet një president koncensual vjen një propozim për kandidat partiak. Këtë e ka thënë vetë Kurti që nuk do të kenë kandidat me librezë partie por ndërkohë propozimi i tij i vetëm është Glauk Konjufca. Kjo është e papërgjegjshme”, ka thënë ajo.
(Kosova Sot Online)
