Pas humbjes së Orbanit, bashkëpunëtorët e tij nxjerrin pasuritë jashtë Hungarisë

  • A.P /
  • 27 April 2026 - 07:40
Pas humbjes së Orbanit, bashkëpunëtorët e tij nxjerrin pasuritë jashtë Hungarisë

Humbja e Orbanit në zgjedhje, i hapi rrugën një kapitulli të ri politik në Hungari nën drejtimin e Peter Magyar. Por, paralelisht me ndryshimin e pushtetit, raportohet për një “garë” të shpejtë nga rrethi i ngushtë i Orbanit për të transferuar pasuritë jashtë vendit.

Sipas burimeve të cituara nga mediat ndërkombëtare, avionë privatë po nisen nga Vjena, ndërsa individë të lidhur me partinë Fidesz po zhvendosin asetet e tyre drejt vendeve si Arabia Saudite, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe në destinacione më të largëta si Australia dhe Singapori.

Që nga ardhja në pushtet e Orbanit në vitin 2010, një rreth i vogël bashkëpunëtorësh të afërt me të ka grumbulluar pasuri të mëdha, pjesërisht falë kontrollit në rritje mbi ekonominë dhe kontratave publike të financuara nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i ardhshëm, Peter Magyar, ka ngritur alarmin, duke akuzuar persona të lidhur me Fidesz se po përpiqen të mbrojnë pasuritë e tyre nga llogaridhënia përpara se qeveria e tij të marrë detyrën në fillim të majit.

“Oligarkët e lidhur me Orbanin po transferojnë dhjetëra miliarda forinta jashtë vendit”, ka deklaruar ai, duke u bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të ndërhyjnë dhe të mos lejojnë largimin e personave të dyshuar drejt vendeve ku ekstradimi është i vështirë.

Mes emrave të përmendur është edhe familja e Lorinc Meszaros, një nga aleatët më të afërt të Orbanit dhe një prej njerëzve më të pasur në Hungari, pasuri e cila, sipas kritikëve, është rritur ndjeshëm përmes kontratave publike.

(Kosova Sot Online)