Kurti: Nga 32 mijë fermerë që marrin mbështetje, 10% e tyre i takojnë komunitetit serb

  • A.P /
  • 27 April 2026 - 12:15
Kurti: Nga 32 mijë fermerë që marrin mbështetje, 10% e tyre i takojnë komunitetit serb

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar sot në veri të vendit, ku ka marrë pjesë në hapjen e zyrave të reja të Ministrisë së Bujqësisë.

Kurti tha me këtë rast se diskriminimit i ka ardhur fundi dhe të gjithë qytetarët, pa dallime, do të mund të marrin shërbime në këtë zyrë.

Sipas tij, nga gjithsej 32 mijë fermerë që marrin mbështetje nga Ministria e Bujqësisë, 10% e tyre i takojnë komunitetit serb.

“Një zyrë rajonale të Ministrisë e cila në njërën anë ofron gjithëpërfshirjen, pra për të mos e lënë asnjë njeri mbrapa ose jashtë dhe në anën tjetër ofron mundësi të barabarta, ashtu që të gjithë fermerët të kenë mundësi për qasje në subvencione e në grante që janë jetike për zhvillimin e bujqësisë, për rritjen edhe të prodhimit edhe të produktivitetit. Nga gjithsej 32 mijë fermerë që marrin mbështetje, rreth 3 mijë janë të komuniteteve serbe, pra afro 10 për qind, që do të thotë proporcionalisht shumë më tepër sesa përqindja e popullsisë. Ne dëshirojmë të dëshmojmë me punë konkrete, praktike, siç është edhe kjo sot, që nuk diskriminojmë asnjëri, pra kohëve të diskriminimit u ka ardhur fundi dhe këtë ne e bëjmë me zhvillim dhe me progres. Andaj gëzuar dhe urime të gjithëve kjo zyrë rajonale e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural këtu në Mitrovicë”, tha Kurti.

(Kosova Sot Online)