Kurti mirëpret në takim delegacionin e Komitetit Ushtarak të NATO-s
Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim delegacionin e prirë nga kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, dhe kreu i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Europian, Gjenerali Sean Clancy.
Zyra e Kryeministrit tha se gjatë takimit, Kurti “shprehu falënderimin për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s për paqe, stabilitet dhe parandalim në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, ndërsa tha se roli i KFOR-it mbetet thelbësor jo vetëm për sigurinë e vendit, por mbarë rajonit”.
“Kryeministri Kurti theksoi se, për Kosovën, NATO-ja nuk është vetëm garantues i sigurisë, por orientim strategjik dhe destinacion. Në kontekst të procesit të integrimit evropian, ai tha se krahas politikës së pranimit, duhet t’i kushtohet rëndësi edhe dëshirës për anëtarësim”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Kurti u foli mysafirëve edhe për “rritjen e nivelit të sigurisë në vend”.
“Pasi foli për rritjen e nivelit të sigurisë në vend, me theks në veri, në kontekst rajonal kryeministri përmendi synimet destabilizuese të Serbisë të mbështetur nga Rusia. Kryeministri Kurti, po ashtu, theksoi bashkëpunimin e ngushtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës me NATO-n”, thuhet në njoftim.
(Kosova Sot Online)
