LVV-në e braktisin partitë opozitare, ngelet vetëm në seancën për zgjedhjen e Presidentit
Ka nisur vazhdimi i seancës për zgjedhjen e Presidentit me fjalët e para të kryeparlamentares Albulena Haxhiu që u bëri thirrje edhe njëherë deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në këtë seancë.
Ajo përmendi “obligime” që tha se ata kanë për të votuar dhe për ta mundësuar zgjedhjen e Presidentit.
Deputetët e pushtetit u mbledhën sërisht sot paradite në Kuvend për rundin e dytë të votimit për President, pavarësisht se nuk ishin 80 deputetë në sallë dhe pavarësisht se kjo procedurë që nisi mbrëmë, u konsiderua si cenim i rendit kushtetues të vendit nga njohës të Kushtetutës dhe organizata joqeveritare.
Haxhiu e shtyu vazhdimin e seancës për në orën 14:00, duke i ftuar deputetët e opozitës që të marrin pjesë në seancë, pasi sipas saj, ata janë të obliguar të votojnë dhe të mundësojnë zgjedhjen e Presidentit.
Mbrëmë, në seancën ku morën pjesë vetëm 64 deputetë, u votua për dy kandidatet për presidente, të propozuara po mbrëmë nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
LVV-ja kishte kërkuar nga PDK-ja dhe LDK-ja tre emra për President, si propozim “konkret dhe përbashkues” për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po rrezikon ta çojë vendin sërish në zgjedhje.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka paraqitur emrin e Vjosa Osmanit dhe i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti garanci se 66 deputetë të mazhorancës do ta votonin atë.
Kurti nuk është deklaruar ende për këtë, ndërsa jemi në ditën e fundit të afatit për zgjedhjen e Presidentit.
Nëse nuk zgjidhet Presidenti i ri deri sonte në mesnatë, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
(Kosova Sot Online)
