Mbështetja për Trumpin bie në nivel të ri më të ulët
Mbështetja për politikat e presidentit amerikan, Donald Trump, ra në nivelin më të ulët deri më tani në mandatin e dytë, përderisa amerikanët po shprehen gjithnjë më të pakënaqur me trajtimin që Trumpi ia ka bërë kostos së jetesës, sipas një sondazhi të ri të agjencisë “Reuters” dhe “Ipsos”.
Sondazhi i zhvilluar për katër ditë dhe i mbyllur të hënën tregoi se 34 për qind e amerikanëve kanë mendim pozitiv për punën e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, nga 36 për qind sa ishin në një sondazh të mëparshëm, i zhvilluar nga data 15 deri më 20 prill.
Shumica e përgjigjeve në sondazh u morën para të shtënave në një darkë të shtunën në Shtëpinë e Bardhë, ku Trumpi pritej të fliste. Mbetet të shihet nëse incidenti do të ndikojë në pikëpamjet e njerëzve për presidentin amerikan.
Mbështetja për Trumpin nga publiku amerikan ka pësuar rënie që nga ardhja e tij në pushtet në janarin e vitit 2025, kur 47 për qind e amerikanëve e përkrahnin atë.
Popullariteti i tij ka pësuar goditje që nga fillimi i luftës amerikano-izraelite kundër Iranit më 28 shkurt, që ka shkaktuar shtrenjtim të karburanteve.
Në sondazh, vetëm 22 për qind e pjesëmarrësve u shprehën të kënaqur me punën e Trumpit sa i përket kostos së jetesës, nga 25 për qind sa ishin në një sondazh të mëparshëm.
(Kosova Sot Online)
