Shumica e partive janë që 7 qershori të jetë data e zgjedhjeve

  • A.P /
  • 30 April 2026 - 15:50
Shumica e partive janë që 7 qershori të jetë data e zgjedhjeve

Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka folur për media pas takimit me u.d të presidentes Albulena Haxhiu për datën e zgjedhjeve.

Ajo ka thënë se qëndrimi i LDK’së është që zgjedhjet të mbahen më 7 qershor, meqë edhe KQZ ka kërkuar më shumë kohë për t’u organizuar.

Lushaku-Sadriu ka thënë se LDK do t’i japë një vizion të ri vendit, për të mos e lënë në sanksione dhe skema sociale.

Bedri Hamza, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se për këtë parti, cilado qoftë data e caktuar e zgjedhjeve, është e pranueshme.

Hamza, në konferencën për media, pas takimit konsultativ me u.d presidenten Albulena Haxhiun, tha se, shumica e partive kanë qenë për datën 7 qershor, që të caktohet si dita e zgjedhjeve.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, cilado nga datat brenda afateve kushtetuese dhe brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e pranueshme, qoftë ajo data 31 apo data 7 qershor. Ne jemi të përgatitur, të jemi të gatshëm për zgjedhje dhe të respektojmë afatet ligjore dhe kushtetuese. Shumica e partive politike të përfaqësuara këtu edhe prezentë, kanë qenë për datën 7. Po sidoqoftë ne do të marrim në konsideratë edhe vullnetin e punës dhe arsyet që zgjedhjet të jenë sa më mirë të përgatitura, dhe normal edhe KQZ-ja ka punën e vet, vlerësimin e vet të punës, të gjitha përgatitjet e nevojshme. Edhe prandaj ne jemi fleksibil rreth asaj se a është 31 apo 7”, ka thënë ai.

Hamza, ka paralajmëruar edhe se, brenda listës së PDK’së, do të ketë risi.

“Brenda listës së Partisë Demokratike të Kosovës sigurisht se do të ketë edhe risi, edhe emra dhe figura të tjera”, tha ai.

Ardian Gjini nga AAK-ja, pas takimit konsultativ me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka thënë se ka një dakordancë që 7 qershori të jetë datë kur do të mbahen zgjedhjet.

“Ka një dakordancë që do ta zgjedhim të jetë 7 qershori. Po duket se ka konsensus që të jetë data 7 qershor. Zgjedhjet janë shans, pak shumë i ka deshtë tash. Janë shans për vendin, ne po bëhemi gati për me ia dhënë Kosovës stabilitetin.

Gjini njoftoi se është i propozuar si kandidat për kryeministër, por duhet pritur takimin e Këshillit Drejtues.

(Kosova Sot Online)