Haradinaj: VV e PSD në sinkron po e sulmojnë Vjosa Osmanin
Meliza Haradinaj, ka thënë se ka një ‘’sinkronizim’’ mes Vetëvendosjes dhe PSD’së, në ‘’sulmet’’ ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani, gjë të cilën, ajo e ka cilësuar si ‘’kalkulim politik’’.
Haradinaj, ka thënë edhe se këto dy parti, VV e PSD, përveçse nga e kaluara lidhen edhe nga botëkuptimi i njëjtë që e vendos, siç ka thënë ajo, pushtetin mbi shtetin dhe, ‘’ideologjinë mbi interesin kombëtar’’.
‘’ Afrimi strategjik i Vjosës me Trump dhe kodifikimi i garancive amerikane në ligj për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës u prit me rezistencë nga KM Kurti, e jo me unitet. Pse? Sepse kjo aleancë e zhvendos qendrën e gravitetit nga ideologjia në siguri reale shtetërore, dhe kjo i prish llogaritë e atyre që ushqehen politikisht me konflikt të brendshëm dhe tension të jashtëm’’, ka shkruar ajo mes tjerash.
Postimi:
ÇKA FSHIHET PAS ‘ALEANCËS VV–PSD’ KUNDËR VJOSËS?
Sinkronizimi i Vetëvendosjes dhe PSD-së në sulmet ndaj Presidentes Osmani është kalkulim politik: dy subjekte me të njëjtin ADN ideologjike godasin të njëjtin target.
VV dhe PSD nuk lidhen vetëm nga e kaluara e përbashkët politike, por edhe nga një botëkuptim që e vendos pushtetin mbi shtetin, dhe ideologjinë mbi interesin kombëtar.
Afrimi strategjik i Vjosës me Trump dhe kodifikimi i garancive amerikane në ligj për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës u prit me rezistencë nga KM Kurti, e jo me unitet. Pse? Sepse kjo aleancë e zhvendos qendrën e gravitetit nga ideologjia në siguri reale shtetërore, dhe kjo i prish llogaritë e atyre që ushqehen politikisht me konflikt të brendshëm dhe tension të jashtëm.
Kur kësaj i shtohet fakti që partia simotër PSD ka përkrahur hapur idenë e shkëmbimit të territoreve, ndërsa VV sulmon pikërisht figurën që mishëron mbrojtjen e integritetit territorial, pasqyra bëhet e qartë: njëra plotëson tjetrën në qëllimin e njejtë. Është ndarje rolesh.
Pjesëmarrja e KM Kurti në “koalicionin anti-Trump” në Barcelonë, në një shtet mosnjohës ishte sinjal i rrezikshëm politik: rreshtim ideologjik në vend të konsolidimit shtetëror. Nuk ishte diplomaci. Në këtë logjikë, sulmi ndaj Osmanit nuk është për personin, por për orientimin që ajo përfaqëson.
Pra, pyetja nuk është nëse ka koordinim Kurti – Molliqaj. Pyetja është: deri ku shkon ky koordinim?
Sepse kur dy parti që relativizojnë rreziqet si shkëmbimi territorial bashkohen në goditje ndaj figurës që e mbron vijën e kuqe të shtetit, atëherë kemi të bëjmë kryekput me një skemë të rrezikshme politike.
Dhe projekti është i qartë: elimino politikisht figurën që ankoron Kosovën në aleanca strategjike dhe në integritet territorial, për të hapur rrugë për narrativa që i shërbejnë pushtetit e jo shtetit.
Kjo është thelbi. Të tjerat janë zhurmë.
(Kosova Sot Online)
