Lista votuesve për zgjedhjet e 7 qershorit paraqet një rritje
KQZ ka prezantuar në mbledhjen e saj raportin e Listës Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Sipas raportit, Lista Preliminare e Votuesve numëron gjithsej 2,092,202 votues, që paraqet një rritje prej 15,912 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Nga ky numër, 22,131 qytetarë do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme. Prej tyre, 16,933 janë të rinj që kanë mbushur moshën 18 vjeç pas zgjedhjeve të fundit dhe do të ushtrojnë për herë të parë të drejtën e votës më 7 qershor. Nga ky grup, 8,755 janë meshkuj (51.70%), ndërsa 8,178 janë femra (48.30%).
Ndërkohë, 5,198 votues të rinj janë regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil ndërmjet dy proceseve zgjedhore, ose kanë rikthyer shtetësinë e Republikës së Kosovës.
Raporti po ashtu tregon se 6,219 persona janë larguar nga Lista Preliminare e Votuesve pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. Prej tyre, 5,826 janë larguar si të vdekur, sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrit Civil (ARC), ndërsa 393 persona për shkak të humbjes së shtetësisë së Kosovës.
Gjithashtu, në Listën Votuese nuk janë përfshirë edhe 6,797 persona të tjerë të evidentuar si të ndjerë gjatë vitit 2025, pas verifikimeve të kryera nga KQZ në bashkëpunim me institucionet përkatëse, përfshirë ARC-në, Departamentin e Pensioneve, bashkësitë fetare dhe kontrollet në terren.
(Kosova Sot Online)
