Ky është polici i plagosur gjatë transportimit të një personi të arrestuar
Arseni është polici 20-vjeçar i plagosur gjatë transportimit të një personi të arrestuar drejt Komisariatit të Kuçovës, vijon të marrë trajtim në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Si pasojë e plagëve të marra, ai ka pësuar paralizë të përkohshme në gjymtyrët e poshtme.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës në zonën e Kutallisë, në bashkinë Dimal. Sipas të dhënave paraprake hetimore, 45-vjeçari Zamir Skënderi, i cili po transportohej nga Fieri drejt Komisariatit të Kuçovës, dyshohet se i ka marrë armën e shërbimit efektivit dhe ka hapur zjarr brenda automjetit të policisë.
Pas incidentit, autori ka tentuar të arratiset, por është ndaluar dhe vënë në pranga nga dy efektivët e tjerë që ndodheshin në automjet.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se gjatë dëshmisë së tij, Skënderi ka pretenduar se nuk kujton asgjë nga ajo që ka ndodhur, duke deklaruar se në momentin e ngjarjes ishte nën ndikimin e lëndëve narkotike.
Ndërkohë, hetuesit po shqyrtojnë edhe mënyrën se si janë zbatuar procedurat policore gjatë shoqërimit të të arrestuarit. Verifikimet po fokusohen tek masat e sigurisë së ndjekura nga efektivët, si dhe arsyet pse 45-vjeçari nuk ishte kontrolluar në mënyrë të plotë, edhe pse dyshohet se posedonte një sasi kokaine kur u fut në mjetin e policisë.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes kanë nisur hetimet Prokuroria e Beratit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
(Kosova Sot Online)
