Mijëra besimtarë falin namazin e Kurban Bajramit në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'

  • A.P /
  • 27 May 2026 - 09:15
Mijëra besimtarë falin namazin e Kurban Bajramit në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'

Sot besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam.

Mijëra qytetarë u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për të falur namazin e Kurban Bajramit.

Gjatë ceremonisë, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, përcolli një mesazh urimi për besimtarët, duke vënë theksin te solidariteti, respekti dhe bashkëjetesa mes njerëzve.

Në fjalën e tij, ai u shpreh se Kurban Bajrami është një festë që fton besimtarët të largohen nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit.

“Kurban Bajrami është festa që na mëson të largohemi nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit. Në këtë ditë të shenjtë, Allahu na kujton në Kuranin Famëlartë: ‘O ju njerëz, ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i miri te Allahu është ai që është më i devotshëm’. Ky ajet është një mesazh i madh për të gjithë: të jetojmë me respekt dhe me dinjitet ndaj njëri-tjetrit”, tha kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu.

(Kosova Sot Online)