Izraeli për herë të parë përfshihet në listën e zezë të OKB-së
Izraeli është shtuar për herë të parë në listën e zezë të Kombeve të Bashkuara për vendet që kryejnë dhunë seksuale në zonat e luftës.
Një raport i zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm António Guterres tha se OKB vitin e kaluar ka verifikuar 31 raste të dhunës seksuale të kryer nga forcat izraelite ndaj palestinezëve nga Gaza dhe Bregu Perëndimor. Sipas raportit, 13 nga rastet kanë ndodhur në vitin 2025, ndërsa 18 të tjera në dy vitet e mëparshme.
OKB tha se raporti duhet të shihet si “tregues i incidenteve dhe modeleve” dhe jo si dokument gjithëpërfshirës.
Izraeli i ka mohuar akuzat për abuzim seksual dhe ka deklaruar se synon të ndërpresë marrëdhëniet me zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, e akuzoi të enjten Guterres se po përhap “gënjeshtra antisemite”. Misioni izraelit në OKB tha se do të refuzojë kontaktin me zyrën e tij për sa kohë ai është në krye të organizatës ndërkombëtare.
Raporti thekson se rastet e verifikuara nga OKB janë kryer ndaj 14 burrave, shtatë grave, nëntë djemve dhe një vajze. Shkeljet përfshijnë përdhunim, përdhunim në grup, zhveshje me forcë dhe dhunë ndaj organeve gjenitale, të kryera nga pjesëtarë të ushtrisë, policisë dhe shërbimit të burgjeve të Izraelit.
OKB tha se përpjekjet për të hetuar plotësisht çështjen janë penguar nga qeveria izraelite dhe nga kërcënime ndaj të ndaluarve për të mos raportuar abuzimet.
(Kosova Sot Online)
