Bosnja kryeson rajonin, Kosova dhe Shqipëria mbeten me arkëtimet më të ulëta

  • A.P /
  • 01 June 2026 - 08:11
Bosnja kryeson rajonin, Kosova dhe Shqipëria mbeten me arkëtimet më të ulëta

Në njërin krah, Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi rezultojnë me efektive pasi arrijnë të mbledhin në buxhet mbi 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në krahun tjetër, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut rezultojnë në kuota mjaft të ulëta, pa arritur të kalojnë as pragun e 33%, sipas të dhënave të publikuara në databazën e Fondit Monetar Ndërkombëtar që i takojnë Vitit 2025.

Bosnja dhe Hercegovina, jo vetëm që ka nivelin më të lartë te të ardhurave ndaj PBB-së në Rajon, por po ashtu regjistron edhe rritjen më të lartë vjetore në 2025.

Të ardhurat e saj rriten nga 41.3 për qind në vitin 2024 në 42.5 për qind në vitin 2025, me 1.2 pikë përqindje. Ky zgjerim i fortë fiskal i Bosnjës u mbështet në ecurinë e mirë të taksave indirekte dhe mbledhjes së TVSH-së, të cilat u nxiten nga inflacioni dhe konsumi i qëndrueshëm i brendshëm.

Ndryshimi pozitiv tregon se autoritetet boshnjake kanë arritur të kapitalizojnë flukset ekonomike, duke forcuar pozicionin e tyre buxhetor përballë sfidave që po sjell fragmentimi të brendshëm.

Serbia po ashtu konfirmon një pozicion të fortë dhe një rritje konstante të treguesve të saj fiskalë në rajon, duke u ngjitur nga 40.5 për qind e PBB-së në vitin 2024 në 41.0 për qind në vitin 2025.

Kjo rritje prej 0.5 pikë përqindjeje reflekton peshën e madhe që luan ky shtet në prodhimin industrial rajonal dhe aftësinë e tij për të vjelë të ardhura të konsiderueshme nga investimet e huaja direkte dhe sektori i eksporteve.

Sistemi fiskal serb përfiton nga një bazë e gjerë tatimore dhe nga një kontroll më i rreptë mbi performancën e ndërmarrjeve publike dhe private, gjë që mban nivelet e të ardhurave në kuota të larta, të krahasueshme me ato të vendeve të zhvilluara europiane.

Mali i Zi përbën një përjashtim specifik në rajon, pasi është i vetmi vend që shënon një rënie të të ardhurave si përqindje e PBB-së në 2025. Të dhënat tregojnë se nga një nivel i lartë prej 40.7 për qind në vitin 2024, treguesi zbriti në 40.3 për qind në vitin 2025, duke u tkurrur me -0.4 pikë përqindjeje.

Ky ngadalësim nuk lidhet me dobësimin e ekonomisë, por me rritjen më të shpejtë të PBB-së nominale e nxitur nga turizmi dhe investimet e huaja, krahasuar me ritmin e arkëtimeve tatimore.

Maqedonia e Veriut vijoi rritjen, ku të ardhurat e saj buxhetore në krahasim me PBB-në u zhvendosen nga 31.8 për qind në vitin 2024 në 32.2 për qind në vitin 2025.

(Kosova Sot Online)