Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar masën për t’i dhënë fund luftës
Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump, kundër Iranit, teksa sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, insistoi se operacionet amerikane ndaj Teheranit kanë përfunduar.
Dhoma e miratoi rezolutën me 215 vota për dhe 208 kundër më 3 qershor, me katër republikanë që iu bashkuan të gjithë demokratëve në mbështetje të rezolutës.
Rezoluta, që është prezantuar nga përfaqësuesi nga New York-u, Gregory Meeks, udhëzon Trumpin që të largojë forcat e armatosura amerikane nga armiqësitë me Iranin, përveç nëse Kongresi zyrtarisht shpall luftë apo autorizon përdorimin e forcës.
Kjo masë tani dërgohet në Senat, ku ligjvënësit po shqyrtojnë një rezolutë të ndarë për kompetencat e luftës. Edhe nëse miratohet nga dy dhomat e Kongresit, Trump pritet që t’i sfidojë përpjekjet për të kufizuar autoritetin e tij dhe masa e Dhomës së Përfaqësuesve gjerësisht shihet si simbolike sepse nuk e ka fuqinë detyruese ligjore.
Votimi dypartiak sinjalizon rritjen e kundërshtimit në Kongres
Ky votim shënoi kundërshtimin më të fortë të Kongresit deri më tani ndaj konfliktit, i cili ka zgjatur për më shumë se tre muaj dhe ka nxitur shqetësime për pasojat e tij ekonomike dhe gjeopolitike.
Përmes një deklarate pas votimit, Meeks argumentoi se fushata ushtarake nuk kishte arritur objektivat e saj të shpallura dhe, përkundrazi sipas tij, kishte dëmtuar përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me programin bërthamor të Iranit.
“Nëse ka bërë diçka, ajo e ka larguar edhe më shumë mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike për programin bërthamor të Iranit”, tha ai.
Demokrati nga New York vuri në pah po ashtu rritjen e çmimeve të karburanteve dhe koston financiare të konfliktit, duke thënë se amerikanët po paguanin dukshëm më shumë për benzinën, ndërsa njëkohësisht po mbanin barrën e shpenzimeve të një lufte që shumë prej tyre e kundërshtojnë.
Udhëheqësit demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve i përsëritën këto shqetësime, duke argumentuar se konflikti binte ndesh me premtimet elektorale të Trumpit për të shmangur luftërat jashtë vendit dhe për të ulur kostot për familjet amerikane.
Megjithatë, udhëheqësit republikanë këmbëngulën se fushata ushtarake nuk përbënte një luftë që kërkonte autorizim nga Kongresi dhe paralajmëruan se kufizimi i autoritetit të presidentit mund të shkonte në favor të udhëheqjes iraniane.
Megjithatë, kundërshtimi brenda radhëve republikane është shtuar. Përfaqësuesit Thomas Massie nga Kentaki, Brian Fitzpatrick nga Pensilvania, Tom Barrett nga Miçigani dhe Warren Davidson nga Ohajo u shkëputën nga qëndrimi i shumicës së partisë së tyre për të mbështetur këtë masë.
Rubio mbron strategjinë e administratës
Disa orë para votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbrojti mënyrën se si administrata e ka menaxhuar konfliktin gjatë një seance dëgjimore para Komitetit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
“Ne nuk po kryejmë më sulme të vazhdueshme brenda Iranit për të dobësuar kapacitetet e tij ushtarake, sepse operacioni Tërbimi Epik ka përfunduar”, tha Rubio, duke iu referuar fushatës ushtarake amerikane. Ai shtoi se Washingtoni i kishte arritur objektivat e tij.
Rubio argumentoi po se synimi i administratës nuk kishte qenë kurrë ndryshimi i regjimit në Teheran.
(Kosova Sot Online)
