Picula: Politika e Vuçiqit ka bllokuar rrugën evropiane të Serbisë

  • A.P /
  • 10 June 2026 - 09:05
Picula: Politika e Vuçiqit ka bllokuar rrugën evropiane të Serbisë

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se Serbia po përballet me kritika të ashpra për shkak të regresit në demokraci dhe sundimin e ligjit, mungesës së progresit në luftën kundër korrupsionit, kushteve të pamjaftueshme për zgjedhje të lira dhe presioneve ndaj mediave të pavarura. Ai kritikoi presidentin serb, Aleksandar Vuciq, duke vlerësuar se politika e tij ka çuar në stagnimin e procesit të integrimit evropian të Serbisë, ndërsa theksoi se Beogradi duhet të harmonizohet me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë, dhe të punojë më shpejt për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. në një intervistë për Danas, Picula po ashtu akuzoi pushtetin serb për rritjen e tensioneve me Mal të Zi dhe për krijimin e një klime të thellë politike e shoqërore që po e largon vendin nga Bashkimi Evropian.

Raporti i fundit për përparimin e Serbisë, të cilin e keni hartuar, paraqet një vlerësim mjaft kritik. Cilat janë problemet kryesore që evidenton ky dokument?

Tonino Picula: Raporti pasqyron qëndrimin e përbashkët të Parlamentit Evropian për gjendjen në Serbi në një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së saj të re. Fatkeqësisht, pothuajse nuk ka asnjë kapitull ku është konstatuar përparim i konsiderueshëm. Problemet më të mëdha lidhen me demokracinë dhe sundimin e ligjit, ku situata ka shënuar përkeqësim të vazhdueshëm, veçanërisht gjatë vitit të fundit.

Që në draftin fillestar të raportit kam theksuar se skena shoqërore dominohet nga polarizimi i thellë politik dhe tensionet, se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë prioritet dhe se rekomandimet për ndryshimin e legjislacionit zgjedhor duhet të miratohen dhe zbatohen. Po aq e rëndësishme është edhe përkushtimi i sinqertë ndaj rrugës evropiane.

Në rrethanat aktuale gjeopolitike, është thelbësore që vendet kandidate të harmonizohen me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, ndërsa Serbia ka rezultate shumë të dobëta në këtë aspekt. Këtu hyn edhe çështja e marrëdhënieve me Kosovën dhe nevoja për të punuar më shpejt drejt normalizimit të tyre.

Gjithashtu, është e qartë se Serbia, në gjendjen aktuale, nuk i përmbush kushtet për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes, një qëndrim që është kristalizuar muajt e fundit, veçanërisht në kontekstin e miratimit të ligjeve të propozuara nga Mrdiq, që në thelb janë ligje të Vuçiqit.

Si i vlerësoni ligjet në fushën e drejtësisë dhe procesit zgjedhor që janë miratuar së fundmi në Serbi? A shihni në to vullnet të vërtetë politik për reforma apo Brukseli i konsideron vetëm ndryshime kozmetike?

Tonino Picula: Këto ligje ishin pika që mbushi kupën e durimit edhe të Komisionit Evropian, i cili tradicionalisht ka qenë mjaft mirëkuptues. Negociatat e anëtarësimit janë një proces serioz politik që duhet të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe jo me qasje të dykuptimta.

Sa i përket procesit zgjedhor, jemi ende larg krijimit të kushteve për zgjedhje të ndershme dhe funksionimin normal të organit rregullator të mediave (REM). Ka ende shumë punë për t’u bërë dhe shumë masa për t’u zbatuar që situata të bëhet e pranueshme.

Ky është vetëm një tjetër raport që përsërit problemet kronike me sundimin e ligjit dhe demokracinë në Serbi. Sa raporte të tilla duhen ende para se Brukseli të ndërmarrë masa konkrete ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiqit?

Tonino Picula: Raportet e Parlamentit Evropian janë mesazhe politike në dy drejtime. Së pari, ato i drejtohen vendit kandidat, por edhe institucioneve të tjera të BE-së – Komisionit dhe Këshillit.

Gjatë 13 viteve të mia në Parlamentin Evropian kam parë rëndësinë e rezolutave dhe të qëndrimeve të formuara nga shumica parlamentare. Veçanërisht kur një dokument i tillë negociohet shpejt dhe miratohet me një shumicë kaq bindëse.

Parlamenti Evropian është institucioni i vetëm i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët e vendeve anëtare dhe, si i tillë, ka ndikim të konsiderueshëm në veprimet dhe qëndrimet e institucioneve të tjera evropiane. Jam i bindur se ky raport identifikon qartë problemet dhe sugjeron hapa konkretë.

Stagnimi i procesit të anëtarësimit për katër vjet radhazi flet qartë për disponimin e vendeve anëtare dhe institucioneve të BE-së ndaj zhvillimeve në Serbi.

Nëse Beogradi dëshiron vërtet të përshpejtojë rrugën drejt Bashkimit Evropian, cili duhet të jetë prioriteti absolut i autoriteteve serbe?

Tonino Picula: Mesazhet e Parlamentit Evropian janë shumë të qarta. Nëse Serbia dëshiron të ecë përpara në rrugën e saj evropiane, duhet të konfirmojë qartë orientimin strategjik, të harmonizohet me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë, dhe të arrijë progres konkret e të qëndrueshëm në fushat kyçe të reformave.

Suksesi apo dështimi i Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit varet para së gjithash nga gatishmëria e pushtetit për të zgjidhur problemet që rëndojnë shoqërinë serbe. Nuk është çështje nëse BE-ja e dëshiron Serbinë si anëtare, por nëse Serbia dhe pushteti i saj afatgjatë janë të gatshëm të pranojnë standardet demokratike që kërkon anëtarësimi.

Si e komentoni rritjen e tensioneve mes Serbisë dhe Malit të Zi dhe si e sheh Brukseli këtë situatë?

Tonino Picula: Mendoj se këto tensione janë rezultat i disa faktorëve: mospëlqimit personal të Vuçiqit, vazhdimësisë së promovimit të politikës së ashtuquajtur “bota serbe” në kundërshtim me integrimet evropiane, si dhe mospranimit të dështimit të përpjekjeve për ta vendosur Podgoricën nën ndikimin e Beogradit.

Bëhet fjalë për një politikë shtetërore të planifikuar, e cila buron nga frustrimet e shumta të Vuçiqit ndaj Malit të Zi – nga rikthimi i shtetësisë malazeze dhe ndarja nga Serbia para njëzet vjetësh, deri te fakti se Mali i Zi po hyn në fazën përfundimtare të anëtarësimit në BE.

Ndryshe nga Mali i Zi, politika e Vuçiqit e ka çuar Serbinë drejt stagnimit, madje edhe prapa në procesin e integrimit evropian. Në Bruksel, të gjithë aktorët relevantë po e ndjekin situatën me vëmendje. Pas incidentit para samitit në Tivat, është ritheksuar rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dypalëshe në kuadër të procesit të anëtarësimit.

Kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga tragjedia e shembjes së strehës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit. Si duket sot situata shoqërore dhe politike në Serbi nga perspektiva e Bashkimit Evropian?

Tonino Picula: Është e vështirë të përmblidhen të gjitha zhvillimet në një përgjigje të shkurtër, por ajo tragjedi ndryshoi shumë gjëra. Një moment i rëndësishëm për perceptimin e Brukselit mbi pushtetin në Beograd ishte edhe misioni i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian në janar të këtij viti, kur një numër deputetësh panë nga afër gjendjen në terren.

Gjithnjë e më shumë politikanë evropianë po shprehin hapur shqetësim serioz, madje edhe indinjatë, për gjendjen e demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe lirisë së mediave në Serbi.

Po ashtu është hedhur poshtë narrativa e pushtetit se dikush nga jashtë, veçanërisht nga BE-ja, po organizon “revolucione me ngjyra” apo përmbysje të pushtetit. Gjithnjë e më shpesh dënohen presionet dhe frikësimet ndaj protestuesve, gazetarëve, aktivistëve dhe kundërshtarëve politikë.

Protestat pas tragjedisë në Novi Sad pasqyrojnë pakënaqësinë e thellë ndaj korrupsionit, mungesës së përgjegjësisë, institucioneve të dobëta dhe humbjes së besimit tek pushteti. Ne kemi kritikuar edhe mënyrën se si është zhvilluar hetimi për shembjen e strehës, duke kërkuar transparencë, përgjegjësi dhe rezultate konkrete.

Përveç kësaj, gjatë zgjedhjeve lokale në fund të marsit janë vërejtur tensione, dhunë dhe parregullsi. Shohim gjithashtu përpjekje për kontroll të plotë të skenës mediatike dhe presione ndaj mediave të pavarura. Të gjitha këto kanë forcuar perceptimin për një klimë shumë të keqe shoqërore dhe politike, e cila shoqëron bllokimin e procesit të integrimit evropian.

Kë Bashkimi Evropian e konsideron sot partnerin e tij kryesor dhe më kredibil në Serbi?

Tonino Picula: Kjo mbetet ende një pyetje e hapur. Jo vetëm për shkak të kujdesit tradicional të Brukselit. Bashkimi Evropian, për shkak të natyrës së marrëdhënieve institucionale, duhet të bashkëpunojë me zyrtarët e zgjedhur dhe përfaqësuesit e pushtetit, por edhe me të gjithë aktorët relevantë politikë dhe shoqërorë.

Këtu përfshihen studentët, opozita parlamentare, shoqëria civile dhe të gjithë ata që punojnë për demokratizimin e shoqërisë dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e anëtarësimit në BE.

Megjithatë, nuk është vetëm çështje se me kë flet BE-ja në Serbi. Po aq e rëndësishme është të vërehet se pothuajse nuk ekziston dialog mes pushtetit dhe kundërshtarëve të tij, por as mes grupeve që kërkojnë ndryshim.

Dialogu do të ndihmonte në gjetjen e përgjigjeve për pyetjet se si të hapet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe si të krijohet një konsensus i gjerë shoqëror për anëtarësimin në BE. Duket se kanë të drejtë ata që thonë se sot ekzistojnë tri Serbi që nuk komunikojnë me njëra-tjetrën, ndërsa pikërisht një konsensus kombëtar është i domosdoshëm për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara ndër dekada dhe për hyrjen e vendit në Bashkimin Evropian.

(Kosova Sot Online)