Ky është i arrestuari që dyshohet se dhunoi një grua
Media ka mësuar ekskluzivisht identitetin e personit të arrestuar nën dyshimet për një rast të rëndë dhunimi, që dyshohet se ndodhi të enjten në Llapushnik të Drenasit.
Burimet bëjnë të ditur se në pranga ka përfunduar Enver Bytyqi (55-vjeçar), i cili dyshohet se ka dhunuar një grua 35-vjeçare, pasi fillimisht i kishte ofruar transport drejt Malishevës.
Sipas kallëzimit të viktimës, me inicialet H.S., ajo kishte udhëtuar me autobus nga Bardhi i Madh drejt Komoranit, për të vazhduar më pas për në shtëpinë e nënës së saj në fshatin Lladroc. Teksa po priste transport pranë furrës “Oreksi”, pranë saj ishte ndalur një veturë e kuqe, drejtuesi i së cilës i ishte ofruar ta dërgonte në destinacion.
Viktima ka deklaruar se, pasi i kishte treguar se nuk kishte para për të paguar udhëtimin, i dyshuari e kishte bindur të hipte në veturë. Megjithatë, në vend që ta dërgonte në Lladroc, ai dyshohet se kishte ndaluar automjetin në afërsi të kishës në Llapushnik, kishte kaluar në ulësen e pasagjerit dhe, nën detyrim, e kishte detyruar të zhvishej, ku më pas dyshohet se ka kryer akt seksual pa pëlqimin e saj.
Menjëherë pas raportimit të rastit, viktimës i është ofruar trajtim mjekësor dhe, me urdhër të Prokurorit, është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor.
Falë veprimeve intensive hetimore të ndërmarra nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Rënda, i dyshuari është identifikuar dhe arrestuar po të njëjtën mbrëmje, rreth orës 21:00.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, Enver Bytyqit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.
(Kosova Sot Online)
