Qeveria Hoti të jep llogari urgjente para deputetëve për Kushtetutshmërinë e marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë

Qeveria Hoti të jep llogari urgjente para deputetëve për Kushtetutshmërinë e marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë

Gani Qarri

  • 10 September 2020 - 17:30

Shkruan: Gani Qarri

“Ajo që vlen me këtë rast të theksohet është fakti se mbledhja e nënshkrimeve nga PDK-LVV apo qoftë edhe nga ndonjë minoritet po të bëhej, për ta ftuar Hotin në raportim para Kuvendit, është më tepër se e nevojshme, siç është e mirëseardhur dhe momenti i duhur e vendimtar edhe për rrëzimin e kësaj qeverie tërësisht adoleshente dhe amatore, e cila në momentet përfundimtare të bisedimeve, nga mosdija, po kërcënon hapur shkatërrimin e shtetit të Kosovës”.

E ashtuquajtura marrëveshje në Uashington, ku kryeministri Hoti dhe presidenti serb Vuçiq, nuk nënshkruan asnjë dokument të dy bashkë, në mënyrë që ajo të mund të quhej marrëveshje bilaterale, në fakt nga krejt sa u pa, nuk ishte fare marrëveshje, por vetëm dy dokumente të veçanta zotimesh, të nënshkruara me premtime të njëanshme nga Hoti dhe Vuçiqiq secili për veti, si dhe një letër e tretë ku Trump shprehte lumturinë që rastisi të ishte mikpritës i dy palëve. Kjo lë të dyshohet se nëse Donald Trump, pas dy muajsh i humbë zgjedhjet, nënshkrimet e tyre jo vetëm se mund të harrohen krejt lehtë, por dhe nuk do ta obligojnë më askënd për asgjë. Në anën tjetër, pas largimit të pikës 10 të marrëveshjes, e cila parashihte njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, Hoti pa asnjë konsultim me ekspert të fushave përkatëse, pa pjesëmarrës të partive opozitare të cilat e bojkotuan delegacionin dhe pa shqyrtim në Kuvendin e Kosovës,e pa asnjë plan e strategji veprimi, lejoi që dokumenti përfundimtar të marrë formën e të ashtuquajturës "sallatë ruse". Në të përveç hekurudhave e autostradave u futën edhe çështjet globale, si rrjeti kinez 5G, trajtimi i Hezbollahut si organizatë terroriste, njohja e Kosovës nga Izraeli, vendosja e ambasadave në Jerusalem, dekriminalizimi i homoseksualitetit etj, ku pas pranimit të Hotit, për ndarjen e Liqenit të Ujmanit me Serbinë, u shfaq frika serioze, se në shenjë solidarizimi me z.Grenell edhe kryeministri ynë i ri, do ti bashkohej organizatës së flamujve me ylbere, ndërsa Kosovën do t`ia bashkonte serish Serbisë, me arsyetimin se këtë e kërkonin miqtë amerikanë.

Madje megjithëse edhe Qeveria Kurti u rrëzua me arsyetimin se duhej të krijohej një Qeveri e re "pro-amerikane", të cilën e prisnin me padurim të shkonte në Uashington, vetëm për ta nënshkruar marrëveshjen e njohjes reciproke me Serbinë, dhe siglonin atë në ceremoninë festive të organizuar nga vet presidenti Trump personalisht, jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por pas pranimit për dhënien e një pjese të Ujmanit-Serbisë, gjë që Serbia nuk mundi ta arrinte as gjatë kohës sa Kosova ishte nën pushtimin jugosllav, edhe premtimi për investimin një miliardësh në projektet e infrastrukturës, nuk garantohet me asnjë rresht në mënyrë precize te kjo marrëveshje. Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, për aq më keq, Kosova u shkëput në mënyrë të arbitrare edhe nga trungu autokton, qenësia evropiane dhe përkatësia e identitetit të vet, duke u fërfëlluar aq padenjësisht, në paketën e trishtë islamiko-arabe, me të cilën nuk na lidhë asgjë, përveç hoxhallarëve vahabist, por jo dhe gjaku, gjuha, tradita, territori as përkatësia kombëtare. Kështu që me premtimet e Hotit se vetëm ai di ta bëjë çdo gjë në mënyrë të përkryer dhe dëshmia se si kanë filluar të zhvillohen bisedimet, Kosova po shkon në këtë proces, fare e papërgatitur, aq sa nuk e di se çka do ti sjell, dhe as se si do të jetë fundi i tij. Kjo për vet faktin se edhe BE-ja, të cilës Grenell e Trump, ia lanë fjalën kryesore për marrjen e vendimit të "fundit", sqaron vetëm se ajo qëndron prapa deklaratave për normalizim të marrëdhënieve, por askund nuk premton se qëllimi final i dialogut Kosovë-Serbi është apo do të jetë, njohja reciproke ndërmjet të dy vendeve. Për aq më tepër ka mungesë shumë të madhe të transparencës, veçanërisht kur bëhet fjalë mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të cilin fatkeqësisht pas nënshkrimit nga Isa Mustafa, tani po thuhet se, sapo ka filluar edhe në Bruksel të diskutohet drejtpërsëdrejti për te, por jo edhe për statusin e shqiptarëve të Kosovës Lindore, sikur ata ti takonin një kategorie të dytë njerëzish.

Në këtë mënyrë, Serbia po arrin me shumë suksese, ta bëjë sabotimin e çdo ecje përpara dhe koordinimit të çështjes së të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve të Kosovës, madje po përpiqet të krijoj edhe tensione të brendshme, me qëllim të provokimit të ndarjes së Kosovës, përderisa Avdullah Hoti me delegacionin e tij, në Uashington nënshkruan, që Kosova të paktën për një vit të mos guxoj të paraqes asnjë kërkesë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ndaj pikërisht nënshkrimi i një marrëveshje të tillë, duket se po bëhet shkaku kryesor, për bashkimin në mocion të PDK-s dhe VV-s dhe rrëzimin e merituar të Qeverisë Hoti, pasi që kritikat më të ashpra tani po vijnë nga vet PDK- dhe jo më, vetëm nga VV, duke u vlerësuar marrëveshja, dokument kundër kushtetues që ka hapur tema të karakterit teknik të shpenzuara në fazën e kaluar të dialogut. Një dokument arbitrar që nuk shkon fare në favor të zgjidhjes me njohe reciproke në mes të dy vendeve, nga frika e arsyeshme, se ashtu siç u pranua që me Serbinë të ndahet Liqeni i Ujmanit, me të njëjtën mendjelehtësi mund të pranohet nga Hoti edhe ndarja e Kosovës, gjë që as nuk do të guxonte kush ta kundërshtojë, për faktin se menjëherë do të akuzohej si antiamerikan i përbetuar e prishës i marrëdhënieve dhe miqësisë shekullore me SHBA-të. Vet fakti se Delegacioni i Kosovës që nga fillimi ishte zotuar se në Uashington do të shkonte vetëm për “njohje reciproke” me Serbinë, por qysh në fillim,nga dokumenti u hoq njohja dhe në vend të saj, u përzien një grumbull çështjesh botërore, si rrjeti 5G, ndërtimi i hekurudhave dhe autostradave, lufta kundër terrorizmit, trajtimi i barabartë i homoseksualitetit, njohja nga Izraeli, dhe Ambasada në Jerusalem, dëshmon rrezikun, se sa lehtë mund të futej në këtë marrëveshje labile, korrigjimi i kufijve me Serbinë dhe ndarja e Kosovës. Ndërsa sa i takon asaj që PDK-ja akuzon se si LDK dhe AAK po ri-hapin të gjitha temat që i ka mbyllur PDK-ja në emër të Kosovës megjithëse Partia Demokratike e Kosovës, është akuzuar për një kohë të gjatë nga LDK-ja, AAK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje për cenimin e tërësisë territoriale dhe kompromise në dëm të Kosovës, realisht idetë për ndarje janë të PDK-s, dhe nuk janë fare gënjeshtra që kinse i janë veshur PDK-së dhe lidershipit të saj. Madje plane e deri edhe thirrje të hapura për ndarje të Kosovës, përveç bisedimeve të fshehta në kryeqytete të ndryshme evropiane, e deri në Uashington të SHBA-ve, të vërtetuara edhe nga ish këshilltari për siguri i z.Trump, John Bolton, vet kuislingu Hashim Thaçi që ishte edhe ish kryetar i PDK-s, sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, me 25 gusht të vitit 2018 në Forumin Ballkanik të mbajtur në Alpbach të Austrisë, ka bërë hapur thirrje dhe ka kërkuar publikisht edhe ndihmën e ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës! Por për fat të mirë planet e renegatit Hashim Thaçi për ndarjen e Kosovës dhe faljen e pjesëve më vitale të vendit tonë, ish shtetit okupator si Serbia, i cili edhe nën akuzat për krime, vazhdon ta bëjë politikën në Kosovë, nuk u realizuan vetëm falë kancelares z.Angela Merkel, Gjermanisë si shteti më i fuqishëm ekonomik në BE, Britanisë së Madhe e cila gëzon edhe të drejtën e vetos në OKB,si dhe shteteve fqinje të Kosovës, që i trembeshin shpërthimit të serishëm të luftërave për territore në rast të ndarjes së saj, por dhe vet BE-së, sepse i druhet rrezikimit të stabilitetit në gjithë rajonin ballkanik.

Ndaj është fatkeqësi e pakontestueshme se faktikisht PDK, kurrë nuk i ka kundërshtuar përpjekjet e Thaçit për ndarje të Kosovës, dhe më kot, ajo tani deklaron se kinse nuk ka vendosur nënshkrim në ndonjë dokument që ka cenuar Kosovën, integritetin dhe sovranitetin e saj, përderisa dihet mirë nga të gjithë, se deri te ato akte tradhtie, për fat të mirë, as nuk ka mundur të vinte, ngase u penguan të ndodhnin, jo nga PDK, por nga populli i Kosovës dhe shtetet e lartcekura në Evropë dhe rajon. Ndërsa është shumë me vend dhe plotësisht e drejtë, kritika për veprimin skandaloz të Kryeministrit Hoti dhe z. Haradinaj që Ujmani të shqyrtohet si çështje e pazgjidhur me Serbinë, siç është kundër kushtetues dhe akt i lartë tradhtie, falja e resurseve jetike për mbijetesën e vendit si Ujmani, Trepça etj, dhe rrezikimi i karakterit unitar të shtetit të Kosovës. Dialogu me Serbinë i Qeverisë nën udhëheqjen e PDK-se, jo vetëm që e ka sakatuar tërësisht shtetësinë e Kosovës qysh nga vendosja e Fusnotës e deri te asociacioni, por sidomos pas thirrjeve publike të kuislingut Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës, kundër të cilave ende nuk është deklaruar PDK, gati tash e tri vite, janë bllokuar të gjitha njohjet ndërkombëtare. Ndërsa formimin e Ushtrisë së Kosovës, siç e dimë të gjithë, nuk e ka mundësuar dialogu me Serbinë, sepse Serbia ka kundërshtuar gjithmonë formimin e ushtrisë tonë, por ishte pikërisht gjenerali i famëmadh Xhejms Matis dhe SHBA, që mundësuan formimin e saj, siç fuqizuan edhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë të brishtë të cilin kuislingu Hashim Thaçi ende ëndërron ta ndaj, në këmbim të heqjes së akuzave të ngritura kundër tij, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, nga Gjykata Speciale e Hagës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".