Kosovën akoma e kontrollon Mafia!

Kosovën akoma e kontrollon Mafia!

Hajrullah Tërnava

  • 05 April 2021 - 13:38

Shkruan: ANALIST - Hajrullah Tërnava

Hartimi dhe miratimi i Ligjit për dekriminalizimin e plotë dhe pastrim të figurës së zyrtarëve përfaqësues të institucioneve të shtetit duke filluar nga politika, postet politike, e deri në të gjitha nivelit e administratës publike, është bërë i domosdoshëm dhe emergjent për shtetin e ri të Kosovës, në mënyrë që personat me të kaluar të inkriminuar ta kenë të ndaluar të zgjidhen dhe emërohen në pozita shtetërorë sepse praktika e tanishme e kapjes së shtetit nga klientelat kriminale që kontrollojnë çdo frymëmarrje në institucione, po e pengon dhe bllokon funksionimin e shtetit të së drejtës, dhe barazinë e qytetarëve para ligjit.

Ligji për dekriminalizimin, një model që ka gjetur zbatim edhe në Shqipëri e vende të tjera demokratike, është i domosdoshëm dhe emergjent sepse njerëzit e inkriminuar në pushtet, e shtrijnë ndikimin edhe në procesin vendimmarrës përmes sistemit që ata e instalojnë me strukturat e tyre organizative, si në procesin ligjbërës në Kuvend e Qeveri, duke implikuar interesin kriminal në bërjen e ligjeve sipas direktivave të grupeve kriminale të interesit, për të ju dhënë dykuptimësi, lënë zbritësi dhe me këtë edhe duke pamundësuar pastaj zbatimin e tyre, dhe duke përfituar kriminalisht nga mos funksionimi ligjit. Nga situatat e tilla përfitojnë kryesisht grupet mafioze dhe klanet e krimit të organizuar të lidhura me mafio- politikën.

Është e kuptueshme që mos funksionimi i shtetit dhe ligjit në Kosovë është pikërisht pasojë e fenomenit të tillë të delegimit në institucionet kyçe të shtetit, degradim dhe kapje që po bëhet përmes instalimit të njerëzve me të kaluar kriminale që nuk kanë bërë gjë tjetër përveç mbrojtës të interesave të bosëve të krimit edhe përmes ligjeve. Ligji për dekriminalizimin do ti jepte fund edhe një praktike të tillë, dhe me jetësimin e ligjit-ligjeve të tilla si duke kultivuar tek popullata shumicë kulturën e zbatimit dhe respektimit të shtetit të së drejtës, duke qenë të gjithë ta barabartë para ligjit, do ti tejkalonim më shpejtë barrikadat e tëra që na i kanë mbyllur dyert e BE-së dhe bllokuar liberalizimin e vizave.

Dashtë zoti e që shpejti kjo qeveri e tanishme të vazhdon rrugën pozitive që ka nisur, dhe si politikë që vjen nga një opozitë kritike dhe me premtimet që ja ka dhanë elektoratit për ta ndërtuar e fuqizuar një sistem shtetëror me institucione të pastra e profesionale, ta mbajnë atë premtim sepse për këtë ju dha vota absolute nga qytetarët. Kjo qeveri është shpresa e fundit e qytetarëve për dekriminalizimin dhe pastrimin e shtetit nga mbeturinat e krimit të organizuar, duke vepruar vetëm në përputhshmëri me ligjet pozitive sepse me ato veprime të luftimit shpërfaqjes së angazhimit dhe vullnetit për luftimin e të gjitha dukurive negative, pastrimin e politikës nga krimi, BE do të bindet për seriozitetin dhe guximin e luftimit të krimit, një kërkesë e kahershme dhe ndër më të rëndat që BE i ka vendosur Kosovës për ta fituar e vazhduar perspektivën e saj evropiane.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".