Alarmon eksperti i njohur: Një shtet  që nuk e lufton krimin është i rrezikuar të dështon, ekzistenca e tij është në pikëpyetje!

Alarmon eksperti i njohur: Një shtet  që nuk e lufton krimin është i rrezikuar të dështon, ekzistenca e tij është në pikëpyetje!
Alarmon eksperti i njohur: Një shtet  që nuk e lufton krimin është i rrezikuar të dështon, ekzistenca e tij është në pikëpyetje!

Dr. Hysni Aliu

  • 24 May 2021 - 10:04

Shkruan:Dr. Hysni Aliu

 -Zhvillimet e fundit nëpër shkollat e Kosovës dhe gjithandej nëpër institucionet e Kosovës po tregojnë për një defekt të rëndë në zinxhirin e funksionimit të shtetit tonë.  Dhunimet, vrasjet e njëpasnjëshme, ngacmimet seksuale, penalizmi i atyre që denoncojnë krimin, zhdukja e njerëzve pa gjurmë, një fenomen i ri, vdekjet misterioze të stilit të sistemit Rus, ku vetëm Novi Qoku po ju mungon,  mbyllja me qëllim i syve para krimeve më të rënda duke përfshire këtu krimet ndaj më të vlefshmeve tanë, të rinjve e të rejave, duhet të jenë një kumbon alarmi për gjithë shoqërinë. 

Vrasja e fundit në Pejë, e nja babai që nuk u dorëzua para kërcënimeve të kriminelëve,  që deshi të mbroj dinjitetin e vajzës së vetë, nëpërmjet institucioneve të shtetit, duke besuar në to dhe  duke kërkuar dënimin e merituar për mësimdhënësin që ngacmoi seksualisht të bien e tij 13 vjeçare,  është një vrasje e dinjitetit të popullit të Kosovës, është një nëpërkëmbje e moralit të vajzave tona, që në vend të edukimit dhe arsimimit po ju nënshtrohen dhunës seksuale, nga ata që duhet të jenë kulmi i civilizimit të shoqërisë dhe shembulli më i mirë për gjeneratat që i edukojnë  nëpër vite. 

Heshtja e sindikatës së arsimit të Kosovës, për raste të shumta të dhunës seksuale ndaj nxënësve, tregon që ata janë të lidhur me krimin dhe kriminelët, andaj ju është lidhur gjuha, dhe nuk mundë të flasin përveç nëse e mbrojnë të keqen.  Ata zgërdhihen para mediave, duke kërkuar paga më të mira dhe benefite tjera, por i mbyllin sytë para fenomeneve me devijante në një shoqëri. 

Shteti ka shumë hallka të funksionimit, por arsimi, shëndetësia,  drejtësia, siguria dhe ekonomia, janë më kryesorët, pa to nuk ka shtet. Nëse diçka  do të konsideronim si më të rëndësishëm në mesin e këtyre pesë hallkave, atëherë nuk besoj që ka diçka më të shenjet për një popull sesa arsimi dhe drejtësia. Zaten, kjo është arsyeja që armiku sulmon më së pari në këto dy hallka të zinxhirit shtetërorë. 

Një popullatë e arsimuar, prodhon sistem të drejtësisë të besueshëm, ndërsa kjo drejtësi, sjell sigurinë, e siguria sjell luftimin e krimit, sjell  të mirat ekonomike si rrjedhojë  zhvillimin e gjithë shoqërisë, ku secilit individ i ruhet dinjiteti i vet, edhe nga vetvetja por edhe nga institucionet e shtetit. 

Të gjitha këto, ndërlidhen, me besimin në institucione, besim i cili nëse ekziston do të thotë liri e pavarësi e dinjitet të pa cenueshëm, dhe e kundërta, nëse nuk ekziston besimi në institucione, atëherë, kemi përulje, nënshtrim, dhunim, vrasje hakmarrje, si rrjedhojë një devijim i tërë shoqërisë. Kjo është arsyeja, që njerëzit e japin më të shtrenjtën, pra jetën, për lirinë dhe ,mbrojtjen e kësaj lirie dhe shtetit të cilit i takojnë. Prindin, nuk e shef duke derdh lot për humbjen e  fëmiut të vetë, vetëm në një rast, e ai është  sakrifikimi për lirin dhe shtetin të cilit i takon. 

 Një vend që e quan veten shtet, dhe nuk i ofron popullit të vetë  lirinë, në kuptimin e plotë të fjalës, ku mësuesi është mësues e jo ngacmues seksual, vrasës i prindit të nxënëses apo dhunues, ku polici është police e jo ngacmues seksual apo bashkëpunëtor i krimit, ku gjyqtari apo prokurori, është ndarës i drejtësisë e jo mbrojtës i krimit, ku zyrtari i shtetit është zyrtar shteti e jo shantazuesi, ku mjeku është ai që ofron shërbimin e jo aj që kushtëzon shërbimin me kompensim korruptiv material,  aj shtet është i mallkuar, është i dedikuar të dështon dhe ekzistenca e tij është në pikëpyetje.  

Një shtet i tillë, nuk ndryshon nga një shtet i okupuar. Aty ku është vatra e dijes, nuk guxon të ketë manjak seksual e kriminel që në vend të mësimit ofrojnë traumatizimin dhe devijimin e të rinjve.

Përse ata mësimdhënës që kanë dinjitet, nuk e ngritin zërin e tyre, kundër këtyre dukurive që ndodhin në shkollat e tyre, në sallat ku ata japin mësim, në kabinetet ku duhet të jepet ndihma. Përse policia dhe gjyqësia, nuk i denoncon kolegët e vetë që në vend të drejtësisë, ofrojnë padrejtësinë, përuljen, korrupsionin, ngacmimet seksuale, mbrojtjen e kriminelëve. Përse heshtni ju mësues të dinjitetshëm, që ditët të luftoni kundër Serbisë e tani nuk  po dini ta luftoni armikun që është në mesin e juaj dhe po devijon shoqërinë. 

Përse po heshtni ju polic, që jeni zemra e një shoqërie të lirë, kur kolegët tuaj kërcënojnë, dhunojnë dhe maltretojnë të pafajshmit, apo mbyllin sytë para krimit dhe kriminelëve, duke mbyllur kështu të vetmen derë që ka një popull për të trokitur kur dinjiteti i tij është kërcënuar. Përse ju  mjek të dinjitetshëm, nuk e denonconi korrupsionin dhe neglizhimin e detyrës që bëjnë kolegët tuaj, përse ju zyrtar të tjerë shtetërorë, nuk flisni, kur dikush ua gërryen themelin e shtetit, për të cilin dhanë jetën, më të dashurit tuaj. 

Si është e mundshme që një popull i cili para dy dekadave  ju nënshtrua një dhune sistematike në nivel  gjenocidi, ku u dhunuan rreth njëzetmijë gra e vajza, ku u vranë me mijëra fëmijë, lejon që njëzet vite pas lirisë, tani serish të nëpërkëmbet dinjiteti  i vajzave tona nëpër shkolla, i atyre që kërkojnë ndihmë nëpër stacione policie e i atyre që kërkojnë drejtësinë nëpër gjykata e spitale.  Përse ky popull është ende i robëruar, duke u frikësuar ta dërgoj vajzën në shkollë sepse atje ka mësuesin manjak që duhet ti  nënshtrohet, dhe nëse ajo vajzë ka dinjitet dhe largohet, duke informuar prindin, atëherë prindi, sakrifikon jetën e vetë, për lirinë e mohuar të vajzës së vetë. 

Përse ne nuk kemi të drejtë të trokasim në derë të policisë, pa u frikësuar, që polici të ngacmon, pa u frikësuar që olici  bashkëpunon me kriminelin duke e informuar atë ose duke  e mbrojtur atë  në këmbim të parasë së pistë. 

Përse gjyqtari nuk e ndanë drejtësinë, por e mbështet padrejtësinë.  A e kuptoni ju që të gjitha këto gjëra të tmerrshme para të cilave po i mbyllni sytë, janë trauma psikologjike më e madhe për një shoqëri, e cila ende nuk është e shëruar nga traumat e para dy dekadave.  Çka do ti thotë kjo shoqëri e këto institucione një vajze që ju vra babai, pasi që kjo mbrojti dinjitetin e vet moral, duke i informuar ata që ishin përgjegjës për rritjen dhe sigurinë e saj.  Si do ti përgjigjeni ju policia e Kosovës asaj vajze kur ta dëgjoni nga goja e saj këto fjale " unë jam fajtore, për vdekjen e babait tim, sepse i tregova që mësuesi  më ngacmoi, ndërsa babi nuk e tërhoqi padinë,  por luftoj kundër  nëpërkëmbjes se dinjitetit tim, duke dhënë edhe jetën, po to mos flisja dhe ta falja dinjitetin tim moral, baba im sot do te ishte gjallë".

Ku do të trokasin vajzat tjera që nesër do ti nënshtrohen të njëjtës dhunë seksuale nëpër shkollat tona, a do të guxojnë ti tregojnë prindit të vetë, vëllait  apo motrës, a do guxojnë të trokasin në derën e policisë, me besimin që policia do të ndërhynë, a do të kenë besim, qe dikush mund ti mbroj, apo do ta zgjedhin rrugën e nënshtrimit, rrugën e humbjes së dinjitetit të saje moral, sepse ajo do të thoshte një baba apo vëlla  që jeton ende edhe pse vetë është moralisht e thyer. Mendoni mirë, të gjithë, që nga kryetarja e Kosovës,  kryeministri i Kosovës, ministrja   e drejtësisë e punëve të brendshme, mësimdhënës e polic, miq ndërkombëtarë, se çfarë shteti po doni të jetë Kosova, dhe çka duhet të bëni për ta vendosur besimin e humbur në këto institucione. Heshtja juaj do të thotë, miratim i dhunës dhe dhunimit, i krimit dhe krimineleve, dhe e kundërta. Mos pritni që ndonjë prind t merre drejtësinë e munguar në duart e veta, dhe ti dënon edhe mësuesin e mirë edhe  manjakun seksual, edhe të korruptuarin edhe të pa korruptuarin, sepse çdo akt i tillë shndërrohet në një fenomen që përsëritet. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".