Zbulimi i audio-përgjimit për lidhjen e mafies me drejtësinë, dëshmi e kapjes nga dora e zezë e krimit!

Zbulimi i audio-përgjimit për lidhjen e mafies me drejtësinë, dëshmi e kapjes nga dora e zezë e krimit!
  • 06 August 2021 - 18:56

Shkruan: Dr. Hysni Aliu

Publikimet e ditëve të fundit në media, në lidhje me korrupsionin, shantazhet dhe mënyrën e funksionimit te nëntokës se Kosovës, kanë qenë vetëm një vulosje  e faktit që Kosova fatkeqësisht, është ende e robëruar nga ata që shkuan aq larg sa që filluan të bëjnë tregti edhe me territorin e vendit, duke e shitur si një leckë për një përdorim, me çmimin që atyre ju  përshtatej.

Unë shumë më herët kam shkruar për disa media pa identitet dhe të cilat janë duke i shërbyer robërisë dhe robëruesve e Serbisë, dhe kam bërë thirrje që ato media të bojkotohen, sepse ashtu do ta mbronim  popullatën nga shpëlarja e trurit që ato madje i bëjnë në vazhdimësi.  

Ndryshimet që u bënë  me ndërrimin e krerëve të shtetit, i kanë dhënë pakëz frymë Kosovës, por dy individ ( presidentja dhe kryeministri) në një xhungël  të minuar tërësisht në çdo hap , ashtu  siç është  Kosova jone e shumevuajtur, vështirë se mundë ta bëjnë ndryshimin nëse nuk përkrahen forcërisht nga bashkësia ndërkombëtare dhe popullata.

Rrjedhja e këtyre përgjimeve, nuk është e rastësishme, dhe unë besoj që kjo është bërë pikërisht nga njerëzit që ja duan vtem të mirën Republikes se Kosovës si nje shtet ligjor. Kjo tregon që shërbimet inteligjente të vendeve mike, janë duke luftuar për ta shpëtuar vendin tonë, por edhe duke mbrojtur paqen në rajon dhe Evropë, që seriozisht po kërcënohet pikërisht nga këta njerëz të cilët po denoncohen nëpërmes këtyre audio-incizimeve.

Secili nga ne duhet të kuptoj se ajo që shumica e mediave Kosovare na ofrojnë, është produkt i politikës së Beogradit, nëntokës së Ballkanit dhe pares  së fëlliqtë e cila ua ka ble këtyre njerëzve çdo gjë në brendinë e tyre. E mbaj mend, kur në Qeverinë Kurti 1, pati filluar procesi për përgatitjen e Vettingut në drejtësi, proces i cili u ndërpre me puqin modern ndaj asaj qeverie, dhe kur një përfaqësues i BE-së në Kosovë, pati thënë që në një mënyrë Kosova duhet të ketë kujdes me Vettingun, duke vënë në pikëpyetje tërë procesin, dhe duke e kundërshtuar këtë proces në mënyrë indirekte. Atë botë, unë mbeta i shtangur, i befasuar, nga ai prononcim, sepse secili e din që pa drejtësi të pa varur e te paanshme nuk ka shtet ligjor, e pa Vetting nuk ka drejtësi të pavarur, në një shtet si Kosova, që është udhëhequr nga nëntoka kriminale e Ballkanit dhe e robëruar për 20 vite prej tyre.

Tani kur këto përgjime po publikohen, ata të BE-së duhet ta vejnë gishtin në kokë dhe të mendojnë që a është e mundshme që një kriminel dhe një prokuror, apo gjyqtar i shantazhuar, të shitur dhe pa identitet profesional e njerëzor të kryej detyrën e vetë në shërbim të shtetit. Përgjigja dihet, por i takon Kosovës, popullit tonë liridashës, Kryeministrit dhe Presidentes, që procesin e Vettingut ta shtyjnë përpara me çdo kusht sepse pa të robëria, krimi dhe degradimi i shtetit do të vazhdoj pandalshem , si rrjedhojë Kosova do të vazhdon të jetë një vatër krize dhe kancer për Ballkanin dhe Evropën.

Krimit, duhet ti ndalohet infuzioni që merr nga veriu i Kosovës ku fitohen miliardat nëpërmes Bitcoinave dhe kontrabandimeve të ndryshme dhe Serbia është mbrojtës direkt i funksionimit të këtyre sistemeve kriminale.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".