
Të dyshuarit duhet hetuar seriozisht, asnjë zyrtar publik i amnistuar për pasurinë e krijuar me korrupsion e krim të organizuar!

Gani Qarri
Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri
Është momenti vendimtar, që të gjithë ata politikan të kriminalizuar dhe biznesmenë të korruptuar, të cilët e kanë varfëruar Kosovën dhe qit faqen e zezë vendit me krim e korrupsion, duke plaçkitur masovikisht shtetin tonë dhe qytetarët, për të grumbulluar për vete mega pasuri të kundërligjshme, medoemos duhet të bëhen pjesë e proceseve hetimore, në mënyrë që ti arsyetojnë pasuritë e tyre marramendëse, në të kundërtën ato duhet urgjentisht të konfiskohen, autorët e tyre të dënohen sa më parë dhe të dërgohen menjëherë prapa grillave.
Në këtë vijë, është edhe qëndrimi i Kryeministrit Kurti, i shprehur pikërisht në simbolikën e shënimit të ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit, si porosia më domethënëse paralajmëruese për biznesmenët e korruptuar dhe politikanët e kriminalizuar, të cilët për dy dekada me radhë, janë pasuruar kundërligjshëm në kurriz të popullit dhe shtetit të Kosovës. Prononcimi i kryeministrit, është paralajmërimi më serioz se Qeveria që ai e drejton, ka jo vetëm njohuri dhe informacione të mjaftueshme, por edhe obligim që të ndërmarr të gjithë hapat e nevojshëm ligjor, kundër zyrtarëve shtetëror të lidhur me biznesmenë te inkriminuar, të cilët kanë krijuar në mënyrë të pa justifikueshme pasuri marramendëse duke plaçkitur shtetin dhe qytetarët e vendit.
Deklarata e fundit e Kurti, është sinjali i qartë për ballafaqimin e shpejtë të pasanikëve të dyshimtë të ngritur nga krimi i organizuar, për trajtimin e tyre me Ligjin për Konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme, i cili së shpejti pritet të miratohet edhe në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, para fundit të këtij viti. Sipas sqarimit të vet kryeministri Kurti, pasuria e paligjshme në Kosovë është krijuar përmes kontratave të korruptuara, me favorizimin e bizneseve të lidhur me zyrtarët e kriminalizuar politik, prandaj gjithë grumbullimi i pasurive të kundërligjshme duhet të dokumentohet deri në detaje, përndryshe do të hetohet dhe zbulohet deri në fund.
Sa i takon pasurimit të kundërligjshëm të politikanëve të kriminalizuar, mjerisht ashtu siç shprehet edhe vet kryeministri i vendit, z. Albin Kurti, zyrtarë të shumtë e biznesmen të lidhur me politikën korruptive dhe politikanë të kriminalizuar, kanë krijuar historinë më të errët të korrupsionit, në gjithë vitet e pasluftës të Republikës së Kosovës.
Madje politikanë të tillë, nuk kanë vjelë vetëm taksat, por kanë plaçkitur masovikisht vendin dhe qytetarët, për të grumbulluar për vete mega pasuri të dyshimta të cilat sot nuk mund ti justifikojnë me asgjë.
Prandaj medoemos edhe duhet të bëhen, sa më parë, pjesë e proceseve hetimore serioze , në mënyrë që ti arsyetojnë me fakte dhe në mënyrë ligjore, pasuritë e tyre marramendëse, në të kundërtën ato duhet të konfiskohen, kurse autorët e tyre të dënohen sa më rëndë dhe dërgohen sa më parë, prapa grillave, që të dëshmohet para qytetarëve se në qeverisjen aktuale, toleranca për korrupsion vërtet është nul dhe zero!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".