Me procesin Vetting të goditen kryekokat e inkriminuara të sistemit të drejtësisë - KPK dhe KGJK!

Me procesin Vetting të goditen kryekokat e inkriminuara të sistemit të drejtësisë - KPK dhe KGJK!

Gani Qarri

  • 26 December 2021 - 09:01

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

Në 12 vitet e fundit, ato kanë pasur mundësi për të përmirësuar integritetin, performancën e efikasitetin, si dhe llogaridhënien e vetë sistemit të cilit i takojnë, por nuk kanë realizuar asgjë dhe kanë dështuar pikërisht e qellimshem për shkak të lidhjes se tyre te drejtpërdrejt  me mafio-politiken e inkriminuar dhe krimin e organizuar  te cilit për më tepër se 20 vite me radhë, pa fije turpi, ia kanë bërë avokatinë e garantuar e mbrojtjen Oligarkëve mafiozë dhe mafio-politikanëve të inkriminuar, në të gjitha nivelet e pushtetit gjatë dy dekadave të kaluara, andaj është momenti i fundit që te gjithe ata edhe të përgjigjen para ligjit, për të gjitha!

Sabotimi dhe intrigat e qëllimshme, janë kulmi i sjelljes më skandaloze, që Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kanë ndërmarrë duke bojkotuar punën e grupit punues, në fazën finale të hartimit të legjislacionit për procesin e Vettingut dhe reformave në sistemin e drejtësisë vendore. Vet sjellja arrogante e këtyre dy kupolave keq drejtuese të drejtësisë pothuajse inekzistente, dhe të segmenteve të këtij sistemi totalisht të kapur e të korruptuar nga politika e inkriminuar, flet më së miri, për frikën që kanë garniturat e gjyqtarëve dhe prokurorëve me të kaluar të dyshimtë e kriminale nga lidhjet e tyre të pashkëputura me krimin e organizuar. -Për gjithë këto vite, nga zyrat e tyre shtetërore, në vend të ndjekjes dhe hetimit, kanë bërë vetëm mbrojtjen dhe avokatinë, e pushtetarëve të inkriminuar dhe krimit të organizuar, ndërsa me bojkotin e tanishëm po provojnë që edhe ta prolongojnë sa më shumë e me gjasë edhe ta sabotojnë tërësisht Vetting-un, përmes lidhjeve që ende kanë me politikën mafioze dhe subjektet e inkriminuara opozitare, të vetëdijshëm se me rastin e miratimit të këtij procesi në Kuvend, kërkohet edhe vota e konsensusit politik.

Mirëpo, përkundër kësaj sjellje destruktive, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se kjo nuk do t’i pengojë ata që të vazhdojnë me reformën të cilën e konsiderojnë substanciale për sistemin e drejtësisë, dhe se pavarësisht shantazheve dhe pengesave që po i bëhen në vijimësi, procesi i filluar i Vetting-ut, do të përmbyllet, në afat të caktuar, dërgohet me kohë në Kuvend, të miratohet ashtu sikur që është planifikuar dhe të fillojë edhe zbatimi i tij në praktikë.

Prandaj, vet ikja e tyre nga ky proces, është edhe një përpjekje e hapur për sabotim publik të reformës në drejtësi nga kupolat e KPK-së dhe KGJK-së, si dhe argument i mjaftueshëm që pas finalizimit të plotë dhe hyrjes në fuqi të Vetting-ut, kokat e para të sistemit të drejtësisë që meritojnë të hetohen për të kaluarën e tyre dhe shënjestrohen për goditje, duhet të jenë që nga kryetari i  KGJK-së, kryetari i KPK-së, ish kryetarët e KPK-s, ata të KGJK-së, si dhe kryetarët aktual të të gjitha niveleve të Gjykatave në vend. Vettingu medoemos duhet të përfshijë edhe ish kryetarët e gjykatave, si dhe ata që kanë ndërruar postet nga një pozitë në tjetrën dhe nga një nivel në nivelin tjetër, nga Gjykatat Themelore, në Gjykatën e Apelit dhe nga ajo e Apelit deri në Gjykatën Supreme, bashkë me prokurorët e prokurorive, dhe  ish prokurorët që të gjithë së bashku përbëjnë një rrjet të dekadës së kaluar më cv të dyshimta e lidhje të vazhdueshme kriminale, prandaj ata edhe refuzojnë e bojkotojnë pa asnjë arsye Vettingun nga një qendër komandimi që aktualisht është qendër me përbërje të njerëzve që nuk janë të pastër nga krimi! Për aq më tepër, barrikadimi për ta kundërshtuar procesin Vetting nga KPK dhe KGJK ka gjetur edhe aleat politik në mesin e opozitës së inkriminuar, inkriminimin e të cilës e kanë mbrojtur vet, për më tepër se një dekadë, prandaj edhe përkundër faktit që Komisioni i Venecias i ka dhënë mbështetje dhe dritën e gjelbër dokumentit të Qeverisë për procesin Vetting, KPK dhe KGJK, megjithatë, nuk duan të kthehen në grupin punues për ta finalizuar së bashku një projekt kapital si Vettingu.

Projekt madhor me interes të veçantë për spastrimin dhe reformimin e gjithë sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe pavarësisht thirrjes nga shoqëria civile e cila po kërkon dhe po e këshillon KPK-në dhe KGJK-në që të mos e ndjekin politikën e inateve, por t’i bashkohen punës për finalizimin e Vettingut, ato vazhdojnë avazin e tyre të bojkotit. Kështu që, pikërisht situata e krijuar me sabotimin e qëllimshëm të këtij procesi, do duhej shfrytëzuar që të ndërmerret nisma e menjëhershme sipas autorizimeve ligjore e Kushtetuese nga Presidentja e Vendit, Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë, për një vlerësim paraveting dhe një hetim sa më të detajuar, me vlerësimin individual të së kaluarës së të gjithë drejtuesve dhe anëtarëve të institucioneve të drejtësisë.

Dhe pas kësaj analize, tu kërkohet të gjithë kuadrove të inkriminuar e jo-meritorë, që të vetë largohen dhe gradualisht të fillohet me vetëpastrimin spontan të këtij sistemi, nga të instaluarit dhe të kontrolluarit e politikës së kaluar, në lidhje të ngushta me krimin e organizuar, pasi që si institucione dhe organe vetë kontrolluese, KPK dhe KGJK kanë pasur në dispozicion së paku një dekadë të plotë, që të shfrytëzojnë mekanizmat e tyre të brendshëm për korrigjime të nevojshme dhe vetë rregullim.

Në 10-12 vitet e fundit, ato kanë pasur mundësi për të përmirësuar integritetin, performancën e efikasitetin, si dhe llogaridhënien e vetë sistemit të cilit i takojnë, por nuk kanë realizuar asgjë dhe kanë dështuar pikërisht për shkak të lidhjes se tyre te drejtpërdrejt  me krimin e organizuar te cilit për më tepër se 20 vite me radhë, pa fije turpi, ia kanë bërë avokatinë e garantuar mbrojtjen Oligarkëve mafiozë dhe mafio-politikanëve të inkriminuar, në të gjitha nivelet e pushtetit gjatë dy dekadave të kaluara, ndaj është momenti i fundit që edhe të përgjigjen para ligjit, për të gjitha.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".