
Lexoni edhe:
Financimi i partive politike është i dyshimte për tu hetuar lidhjet me krimin e organizuar!
Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri
Ngadalë por shumë sigurt, ligji dhe drejtësia, fatmirësisht ka filluar, së fundmi të godas edhe brenda vetë institucioneve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit, përfshi policinë dhe Gjykatat, pikërisht për shkak të zbulimit dhe kapjes në flagrancë të personave zyrtar në krim e korrupsion.
Akte këto shumë shpresëdhënëse dhe tejet inkurajuese, për të vazhduar edhe më tej, me hetim dhe zbulim të fakteve të reja të lidhjes me krimin e organizuar, si dy rastet e fundit të mbyllura në Gjykatën themelore të Mitrovicës dega në Skenderaj. Gjykatë në të cilën u dënua edhe vet ish Gjyqtari i korruptuar Rafet Ismajli, si dhe ish-polici i inkriminuar Blerim Gashi të dënuar me nga 20 muaj burgim dhe me nga 1 mijë euro gjobë, pasi që të dytë njëjtë, si njëri si tjetri, janë gjetur dhe shpallur fajtor për mito a korrupsion. Sipas aktakuzës së ngritur më 4 mars 2020 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Rafet Ismaili ishte gjyqtar i Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, kurse Blerim Gashi zyrtar policor dhe që të dy, është dëshmuar se kanë kryer veprën penale, marrje parash për “Ushtrim ndikimi”. Prandaj, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, pikërisht për këto aktakuza, në dhjetor të vitit 2020, kishte marrë aktgjykim dënues ndaj tyre, duke shqiptuar dënim me nga dy vite e gjashtë muaj burgim dhe me nga 2 mijë euro gjobë, për secilin veç e veç. Kurse si ndëshkim shtesë, Gjykata atyre u kishte shqiptuar edhe dënimet plotësuese, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike dhe shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy vitesh pas ekzekutimit apo vuajtjes së dënimit. Mirëpo e pakënaqur me dënim e shqiptuar, PSRK kishte ushtruar ankesë mbi dënimin e ulët, dhe kishte kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë, që ndaj dy të inkriminuarve, të shqiptohen dënime më të ashpra. Por Gjykata e Apelit më 22 prill 2021, pas ankesës, vendimin e shkallës së parë e kishte anuluar dhe çështjen e kishte kthyer serish në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës, vërtetim të gabuar e jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal mbi dënimin. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 mars të vitit 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Rafet Ismajlit, gjyqtar i Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe Blerim Gashit, zyrtar policor, sipas të cilës Ismajli në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror dhe pretendohej që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar. Dhe sipas aktakuzës, më 28 gusht të vitit 2019, gjyqtari Rafet Ismajli derisa po udhëtonin së bashku nga Skenderaj për në Prishtinë, në veturën e dëshmitarit F.Z., ka marrë nga ky dëshmitar të hollat në shumë prej 1 mijë e 500 euro, me qëllim që ai ta ushtrojë ndikimin e padrejtë tek kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, ndaj dëshmitarit F.Z. dhe ushtrimit të ndikimit tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës,për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, "kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë". Dënimi ishte shqiptuar me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, më 26 korrik të vitit 2018, në kohëzgjatje prej 4 vjet 10 muaj. Po ashtu, sipas prokurorisë edhe Blerim Gashi, në cilësi të personit zyrtar, në Policinë e Kosovës, më 28 gusht të vitit 2019,në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, në veturën e dëshmitarit F.Z., në Fushë Kosovë, në shumë prej 1 mijë euro me pretendimin se edhe ai, është në gjendje të ushtrojë ndikim tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të formës së prerë të 26 korrikut 2018, të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me mjetin e jashtëzakonshëm juridik; "kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë". Kështu që Policia e Kosovës, në një komunikatë për medie, kishte njoftuar se nën dyshimet për vepra penale të korrupsionit, është arrestuar një gjykatës në Departamentin Penal të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe një zyrtar policor, kurse një ditë pas arrestimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e kishte pezulluar nga detyra gjykatësin Rafet Ismajli.
Prandaj, qoftë edhe një rast i vetëm i kësaj natyre, flet shumë dhe qartë, për lidhjen e thellë të gjyqësorit dhe të prokurorisë me strukturat e krimit të organizuar, që bëjnë shitblerjen e drejtësisë me para, ndaj dhe duhet kërkuar hetime më të thella për të zbuluar lidhjet kriminale të abuzimit me ligjin dhe të drejtën juridike, që dyshohet se ka shumë. Kjo për vet faktin tanimë të ditur publikisht, se involvimet e gjyqtarëve dhe policëve në fenomene të tilla të kundërligjshme, si marrja e mitos dhe ryshfetit, janë të pranishme sidomos në rastet e dosjeve të rënda kriminale, trafikimit me droga dhe aferave milionëshe të korrupsionit, por edhe të kontesteve të ndryshme civile mes palëve, sidomos tek bizneset e pa varura dhe të pa ndikuara nga politika, trajtimet e të cilave zvarriten, nuk zgjidhen dhe anashkalohen qëllimisht, për vite të tëra, nëse palët nuk ofrojnë para dhe nuk nënshtrohen para grupeve të nëntokës kriminale, gjë që nuk duhet të lejohet të vazhdojë edhe më tej.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".